Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm për Çështje Politike dhe të Sigurisë të NATO-s, Boris Ruge, shkruan Gazeta Enigma.
Osmani tha se në takim ka ritheksuar mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Presidentja e vendit është shprehur se Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë.
“Sot, në takim me Ndihmës Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, ambasadorin Boris Ruge ritheksova mirënjohjen e Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në Kosovë, si dhe përkushtimin e Kosovës për anëtarësim në NATO.
Kosova është e gatshme që t’i kontribuojë unitetit transatlantik në mbrojtje të vlerave të përbashkëta të paqes, demokracisë e lirisë”, shkroi Osmani.
Në takim u diskutua edhe për çështjen e hapjes së urës së Ibrit, me ç’rast, Presidentja Osmani ka përsëritur se hapja e urës si akt normalizimi e integrimi është në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim etnie.
Presidentja Osmani ka cekur rëndësinë e konsultimit dhe koordinimit në mes të institucioneve tona dhe partnerëve tanë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, në mënyrë që të ndërtohet plani i përbashkët i zbatimit për hapjen e urës.
Në takim Osmani e uroi Ruge për samitin e suksesshëm të NATO-s në Washington D.C., ku Republika e Kosovës u përfshi për herë të parë në një sërë aktivitetesh në kuadër të samitit, me ftesë të Presidentit Biden dhe Sekretarit Blinken, e ku u riafirmua uniteti transatlantik dhe mbështetja e përbashkët për Ukrainën.