Presidentja e vendit, Vjosa Osmani gjatë vizitës në Letoni, deklaroi se Serbia është shndërruar në shtet satelit të Rusisë e cila synon të krijojë efekt destabilizues në rajon, raporton Gazeta Enigma.
“Serbia vazhdimisht përpiqet të destabilizojë vendin tonë, përfshirë përmes akteve të agresionit, ndërsa ne vazhdimisht vetëmbrohemi. Në historinë e ekzistencës së shtetit tonë, asnjëherë nuk kemi pushtuar apo sulmuar as edhe një centimetër të territoreve të fqinjëve tanë. Ajo që kemi bërë gjithmonë – dhe që do të vazhdojmë të bëjmë – është të mbrojmë pavarësinë tonë, integritetin tonë territorial, paqen dhe lirinë që e kemi fituar me shumë sakrifica… Në vendin tim, ndikimi i Rusisë është zero”, theksoi presidentja.
“Fatkeqësisht, nuk mund ta them të njëjtën gjë për vendin fqinj, sepse Serbia është shndërruar në një shtet-satelit të Rusisë, qoftë në aspektin politik, ekonomik apo ushtarak”, shtoi ajo.
Osmani tha se zëri i Letonisë ka qenë vendimtar në përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
“Kjo është ajo që duan, por ne do të punojmë ngushtë me aleatët tanë në BE dhe NATO, përmes parandalimit dhe zmbrapsjes, për të siguruar që asnjë nga taktikat destabilizuese të Rusisë, të realizuara përmes Serbisë, të mos ketë sukses”, tha Osmani.
Ndërkaq, presidenti i Letonisë theksoi se “dita kur Kosova do të bëhet vend kandidat në BE është afër, edhe pse kërkohet ende punë dhe angazhim”