Për nder të festave të nëntorit, Vjosa Osmani, sot ishte për vizitë edhe në Shkodër.
Presidentja e Kosovës, theksoi rëndësinë e festave të nëntorit, që bashkojnë shqiptarët pavarësisht situatave politike. Ajo vlerësoi mbështetjen e Shkodrës dhe të aleatëve ndërkombëtarë për Kosovën, duke kujtuar vizitën në kampin Bondsteel, ku festohej “Thanksgiving”. Osmani nënvizoi se kjo mbështetje ka ndihmuar në forcimin e Kosovës dhe Shqipërisë në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
Në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme, Osmani shprehu optimizëm për një konstituim të shpejtë të Kuvendit dhe formimin e qeverisë, për të marrë vendime të rëndësishme për vendin. Ajo njoftoi se festimet do të vazhdojnë nesër në Vlorë dhe Tiranë, duke theksuar se Dita e Flamurit është festë për të gjithë shqiptarët.
Osmani vlerësoi lidhjet e forta historike midis Shkodrës dhe Kosovës, duke përmendur periudhën 1998-1999, kur shumë kosovarë u strehuan në Shkodër. Ajo theksoi se qyteti ka qëndruar pranë Kosovës përherë dhe mbështetja e tij vazhdon deri më sot.
Në lidhje me rikthimin e rrugës Shkodër–Gjakovë, Osmani e vlerësoi nismën si një hap të rëndësishëm për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve, duke krijuar mundësi për bashkëpunim në fusha të ndryshme si ekonomia, turizmi dhe arsimi.
