Presidentja Osmani në adresimin e saj vjetor në Kuvendin e Kosovës, në mes të tjerash ka theksuar se procesi i dialogut me Serbinë sa vjen e po bëhet më i vështirë, teksa ka përmendur edhe draft statutin e Asociacionit.
Osmani tha se Kosovës i është dorëzuar një propozim i hartuar nga partnerët, por që institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese.
“Përderisa vlerësimi i hartuesve është se një draft i tillë është në harmoni me kushtetutën, dua ta ritheksoj se institucioni që duhet ta bëjë këtë vlerësim, duke u udhëhequr nga parimi i pavarësisë e profesionalizmit, është Gjykata Kushtetuese. Është me rëndësi që të gjithë ne, pa dallim partiak, të ulemi e bashkërisht t`i përgatisim komentet tona bazuar në shqetësimet që mund t’i kemi dhe t’i dërgojmë ato në Gjykatën Kushtetuese, kurdo që ky draft të dorëzohet në këtë institucion”.
Ajo tha se ka ftuar edhe opozitën në takim, që të ndërtohet një qëndrim i unifikuar për këtë çështje.
“Në mënyrë që qëllimet tona të përbashkëta të përkthehen edhe në veprime të përbashkëta, përveç konsultimeve të vazhdueshme me kryeministrin dhe kryetarin e kuvendit, kam ftuar në takim edhe liderët e partive opozitare, me qëllim që për këtë temë sfiduese, të ndërtojmë qëndrim të unifikuar e në mbrojtje të funksionimit të republikës sonë”, tha Osmani.