Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka zhvilluar takim me ndihmës-sekretarin e Shtetit, Jim O’Brien, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas Osmanit në këtë takim është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së si dhe zhvillimet e fundit në dialogun Kosovë-Serbi dhe rolin amerikan në këtë proces.
“Diskutim përmbajtjesor mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët tanë amerikanë për tejkalimin e sfidave të përbashkëta, si dhe për mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë. Bashkë, diskutuam edhe zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë, dhe rëndësinë e rolit të SHBA-ve për suksesin e këtij procesi”, ka shkruar Osmani në Facebook.
Kujtojmë se presidentja Osmani ka udhëtuar për në Washington D.C., me ftesë të sekretarit të Shtetit të SHBA-ve, Antony Blinken, për të marrë pjesë në aktivitetin e organizuar nga Departamenti amerikan i Shtetit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, i cili mbahet në kuadër të Samitit të NATO-s, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake. /Gazeta Enigma/