Osmani pas takimit me presidentin hungarez: Kërkova mbështetje për heqjen e masave nga BE

Osmani pas takimit me presidentin hungarez: Kërkova mbështetje për heqjen e masave nga BE

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot për herë të parë në një vizitë pune në Kosovë, Presidentin e Hungarisë, Tamás Sulyok, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Zsuzsanna Nagy, raporton Gazeta “Enigma”.

Gjatë takimit zyrtar në Presidencë, Presidentja Osmani theksoi synimin e Kosovës për të thelluar bashkëpunimin dypalësh me Hungarinë në të gjitha fushat.

Ajo ritheksoi rëndësinë e mbështetjes hungareze për heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, duke e vlerësuar këtë si një hap thelbësor për proceset integruese. Osmani nënvizoi se integrimi euro-atlantik i Kosovës është në interes të qytetarëve të vendit, të rajonit dhe të të gjithë kontinentit evropian.

“Sot për herë të parë, qëndroi për vizitë pune në Kosovë, Presidenti i Hungarisë, Tamás Sulyok, së bashku me Zonjën e Parë, Zsuzsanna Nagy. Së bashku me Prindonin i mirëpritëm në Presidencë dhe shprehëm synimin që bashkëpunimi mes dy vendeve tona të rritet në çdo drejtim”, ka shkruar Osmani.

Tutje Osmani ka theksuar se “në takimin bilateral me Presidentin Sulyok përsërita se mbështetja e Hungarisë për heqjen e masave të padrejta të BE-së, është thelbësore. Integrimi euro-atlantik i vendit tonë është në dobi të të gjithë qytetarëve tanë, të rajonit dhe të gjithë kontinentit evropian”.

Related Articles