Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar pas heqjes së tarifës për produktet amerikane, me ç’rast theksoi se ajo i kërkoi ekzekutivit heqjen e saj, raporton Gazeta Enigma.
Ajo përmes një shkrimi në llogarinë e saj në X theksoi se është krenare që Kosova është i vendi i parë që propozoi heqjen e saj.
“Jemi krenarë që kemi qenë vendi i parë që propozoi heqjen e të gjitha barrierave ndaj aleatit tonë më strategjik. Për presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet tuaja për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”.
Qeveria në detyrë mori vendim sot që ta heqë tarifën prej 10 përqind për mallrat nga Amerika.
E para e shtetit njëherësh ka rikthyer edhe kërkesën e saj drejtuar ekzekutivit për ta pezulluar këtë tarifë.
“Sot, i kërkova zyrtarisht Qeverisë së Kosovës të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë”, theksohet mes tjerash në këtë kërkesë që ishte bërë më prill.