Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë që ekziston potenciali për destabilizimin e rajonit.
“Kjo që ndodhi në Banjskë në fakt na rikthen në rrënjët e problemit – në atë se a ka aktorë në rajon të cilët i shohin zgjidhjet territoriale për çështjet etnike në rajon për shkak se kjo është pyetja bazë e cila duhet të definohet para se të merret çdo hap tjetër në përmbylljen e temave të hapura këtu në rajon”, ka thënë Osmani në Klan Kosova.
“Unë mendoj që në spektrin e marrëveshjeve në rajon për çështjet etnike do të kisha thënë Dejtoni është në njërën anë të spektrit, Marrëveshja e Ohrit është në tjetrin”.
“Marrëveshja e Ohrit është zgjidhje joterritoriale në bazë të parimit të integrimit dhe decentralizimit kurse marrëveshja e Dejtonit është me zgjidhje territoriale të problemeve etnike”.
“Por ishte çështje e cila ishte futur në kornizë. Kjo paksa e ndali procesin në mes për t’u reflektuar se a kemi ende aktorë të cilët shohin zgjidhje territorial. Nëse kemi të tillë, mendoj që ka një konsensus ndërkombëtar se nuk ka ndryshim të kufijve në rajon, atëherë duhet të trajtohen aktorët e tillë dhe të vazhdohet aty ku mbetëm, prandaj kjo që ndodhi i dha një dimension tjetër që ne na shqetësoi, por natyrisht edhe ajo që ka thënë kryeministri, mundësia për destabilizim potenciali ekziston, sigurisht”.