Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në konferencë pas Samitit në ‘Brdo-Brijunit’, duke iu referuar Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq, ka thënë se është brengosëse se si në shekullin 21 ende ka liderë që janë me mendësi si ajo e Sllobodan Millosheviqit.
“Nuk duhet të ketë vend në shekullin 21 për mohuesit e gjenocidit”, është shprehur Osmani. Sipas saj, Kosova është e gatshme për ta vazhduar dialogun me Serbinë dhe në këtë aspekt është treguar palë konstruktive. Kurse sa i përket ‘non-papers’ ajo ka deklaruar se dokumente të tilla nuk do ta shtyjnë përpara çfarëdo lloj agjende.
“Dua të siguroj secilin se pozicioni i Republikës së Kosovës është refuzimi i çdo ndryshimi të kufijve”, tha ajo.