Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se e përkrah protestën që do të organizohet të premten në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës, raporton Gazeta Enigma.
“E mbështes këtë protestë. E kam mbështetur secilën protestë që thërret për drejtësi”, tha Osmani para mediave.
“Drejtësi që respekton parimet më të larta të mbrojtës së të drejtave të njeriut. Krerët e UÇK pikërisht se kanë pasur besim në drejtësi janë paraqitur para saj, pa asnjë dyshim për drejtësinë”, ka thënë Osmani.
Ajo thekson se “kërkojmë që parimet më të larta të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore të respektohen. Unë i jap plotësisht të drejtë qytetarëve tanë sa herë protestojnë për të kërkuar respektimin e këtyre standardeve”.
Osmani ka thënë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë për liri, për mbrojtje të popullit të pafajshëm, çlirim e mbrojtje të pragut të shtëpisë. Osmani ka thënë se UÇK ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, Republikën e Kosovës.
“Lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë për lirë, për të mbrojtur popullin, për ta çliruar Kosovën nga okupimi shekullor dhe luftë që ka pasur në fokus mbrojtjen e pragut të shtëpisë dhe për të mbrojtur qytetarët e pafajshëm. Për këdo që e ka parë me sytë e vetë se çfarë ka ndodhur në luftën e fundit, ka qenë vetëm një agresor dhe ajo ka qenë Serbia, ka qenë një viktime dhe ajo është Kosova, populli i Kosovës. UÇK ka mbrojtur me dinjitet qytetarët e Kosovës, ka mbrojtur me dinjitet Republikën e Kosovës dhe drejtësinë e kësaj luftë do ta mbrojmë deri në fund”, ka përfunduar Osmani.