Presidentja e vendit Vjosa Osmani, sot ka pranuar letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës së Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, shkruan GazetaEnigma.
Në takim me ambasadorin e ri turk, Osmani ka diskutuar për marrëdhëniet mes dy shteteve tona, ndërsa ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Republikës që raportet bilaterale dhe bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare të intensifikohen edhe më tej.
Sipas njoftimit të Zyrës së Presidencës, presidentja ka folur edhe për tërmetet shkatërruese në Turqi, të cilat kanë shkaktuar mijëra viktima dhe theksoi se populli i Kosovës vazhdon të solidarizohet me popullin e Turqisë në këtë kohë sfiduese.
Me ambasadorin Angılı, presidentja bisedoi edhe për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, dhe potencialin e rritjes së bashkëpunimit në sfera të tjera të interesit të dyanshëm.
Në temën e zhvillimeve aktuale politike dhe të sigurisë, Presidentja Osmani ka theksuar se institucionet e Republikës vazhdojnë të jenë të përkushtuara për paqe të qëndrueshme dhe stabilitet.
Ndër të tjera, ambasadori Angılı ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Turqisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare./GazetaEnigma/