Osmani pret në zyrë shefin e KQZ-së, diskutojnë për balotazhin e 9 nëntorit

Osmani pret në zyrë shefin e KQZ-së, diskutojnë për balotazhin e 9 nëntorit

Pas takimeve me krerët e partive politike në përpjekje për krijimin e qeverisë së re, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në zyrën e saj edhe Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Kreshnik Radoniqi.

Sipas njoftimit të Presidencës, gjatë takimit u diskutua për procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale dhe për përgatitjet e KQZ-së për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor.

Po ashtu, u trajtua funksionimi i përgjithshëm i KQZ-së dhe përmirësimi i vazhdueshëm i proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), z. Kreshnik Radoniqi. Gjatë takimit, Presidentja Osmani është njoftuar nga z. Radoniqi lidhur me procesin e administrimit të zgjedhjeve lokale si dhe me përgatitjet që KQZ-ja po bën për mbajtjen e balotazhit më 9 nëntor. Në këtë kontekst, u diskutua edhe për funksionimin e përgjithshëm të KQZ-së, si dhe për punën që po bëhet për përmirësimin vazhdueshëm të proceseve zgjedhore në përputhje me standardet më të larta të transparencës dhe profesionalizmit.”, u tha në njoftimin e Presidencës.

Gjatë ditës, presidentja Osmani zhvilloi takime edhe me krerët e partive politike për të diskutuar emërimin e një mandatori të ri për qeverinë. Ajo tha se partitë kanë qëndrime të ndryshme dhe vendimi për mandatarin e dytë skadon më 5 nëntor.

Osmani paralajmëroi gjithashtu mundësinë e zgjedhjeve të reja dhe rreziqet që mund të shfaqen në rast të mungesës së shumicës parlamentare:

“Kjo çështje është ngritur nga disa prej pjesëmarrësve për të paralajmëruar një situatë që mund të përballemi si vend. Ta zëmë ka zgjedhje në dhjetor, pastaj merr disa muaj kohë deri t’i kemi institucionet, dhe pastaj sapo ta kemi një qeveri, menjëherë në mungesë kuorumi prej 2/3, vendi shkon në zgjedhje të reja për shkak të dështimit të zgjedhjes së presidentit. Një situatë e tillë u përmend, për të paralajmëruar se mund të kemi dy palë zgjedhje në 3-4 muajt në vijim, që është situatë e rëndë jo vetëm për KQZ, por edhe për periudhë të gjatë qytetarët të mos i kenë institucionet.”

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se takimi tregoi se asnjë parti nuk ka shumicën parlamentare për të formuar qeverinë e re. Ai shtoi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi disa ditë kohë për procesin, por nuk mund të krijojë shumicën parlamentare.

Kurse, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, deklaroi se ideja e një qeverie uniteti u përmend gjatë takimit, por shumica e partive ishin të qarta se nuk ekziston shumicë parlamentare sipas rezultateve aktuale. Ai tha se në këto rrethana afatet kushtetuese çojnë drejt organizimit të zgjedhjeve të reja.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, bëri të ditur se presidentja Osmani kërkoi nga partitë sqarime mbi shumicën parlamentare. Ai shtoi se kryeministri Kurti kërkoi disa ditë kohë dhe se si datë e mundshme për zgjedhje parlamentare përmendet 7 dhjetori, për të shmangur krizat e mëtejshme.

Takimet tregojnë se deri më tani nuk ka konsensus për një mandatar të ri dhe se vendi po përgatitet për zgjedhje të reja. Afati i fundit për vendimin e presidentes Osmani mbetet 5 nëntori.

Related Articles