Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim profesorin e shquar të së drejtës ndërkombëtare dhe ish-kryetarin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada.
Osmani e cilësoi nder të veçantë pritjen e profesorit Owada në zyrën e saj, duke theksuar se ai përfaqëson një figurë të jashtëzakonshme në fushën e drejtësisë ndërkombëtare dhe një promovues të palodhur të paqes globale.
”Në këtë takim, Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për rolin historik të profesorit Owada, i cili si kryetar i GJND-së ka drejtuar këtë institucion në një prej momenteve më të rëndësishme për shtetin e Kosovës – dhënien e opinionit këshillëdhënës të datës 22 korrik 2010, ku Gjykata konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare” thuhet në njoftim.
Osmani vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm të profesorit Owada jo vetëm për Kosovën, por edhe për zhvillimin dhe avancimin e të drejtës ndërkombëtare dhe përpjekjet për paqe globale.