Presidentja, Vjosa Osmani, në konferencën rajonale “Parlamentarizmi dhe Rezoluta 1325: Perspektivat nga Ballkani Perëndimor” e cila ka nisur sot punimet në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se pjesëmarrja e grave në procese të paqes dhe sigurisë, nuk është thjesht një çështje barazie apo të qenit i drejtë, por një gurthemel për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vendin tonë, rajonit dhe më gjerë.
“Një nga zotimet tona është pikërisht puna konkrete që mund të bëjmë si një shtet i ri por fatkeqësisht me histori të dhimbshme, por sot me një demokraci të konsoliduar e qëllim të fuqizimit të rolit të grave dhe vajzave në procese të paqes dhe sigurisë”.
“Në zemër të kësaj agjende është të kuptuarit se pjesëmarrja e grave në procese të paqes dhe sigurisë nuk është thjesht një çështje barazie apo e të qenit i drejtë, por është një gurthemel për arritjen e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në vendet tona, rajonin tonë dhe më gjerë”.
E para u shtetit tutje tha se ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtyer përpara në mënyrë vendimtare, paqen dhe sigurinë në vendin tonë dhe më gjerë.
“Mbi të gjitha angazhimi i ynë i përbashkët vjen krejtësisht natyrshëm duke qenë se në bosht të historisë sonë në faza të ndryshme të saj, si në kohën e rezistencës paqësore, ashtu edhe gjatë luftës dhe pas luftës, por edhe sot përderisa fuqizojmë pozitën tonë në arenën ndërkombëtare, ka qenë pikërisht roli i grave që ka shtyer përpara në mënyrë vendimtare paqen dhe sigurinë në vendin tonë dhe më gjerë. Gratë dhe vajzat e Kosovës janë kampione të kësaj agjende, janë edhe më shumë se kaq, janë sinonim i vetë kësaj agjende, prandaj Kosova e meriton të jetë pikë reference në hartën globale sa i përket angazhimit sërioz në drejtim të jetësimit të saj”, shtoi Osmani