Osmani: Roli i Kosovës në promovimin e sundimit të ligjit është model për rajonin

Osmani: Roli i Kosovës në promovimin e sundimit të ligjit është model për rajonin

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se, gjatë 16 viteve të ekzistencës së saj dhe 15 viteve të Gjykatës Kushtetuese, Kosova ka ofruar një shembull të shkëlqyer të sundimit të ligjit.

Në konferencën ndërkombëtare mbi “Evoluimet në drejtësinë kushtetuese bashkëkohore – shembulli i rajonit të Ballkanit”, ajo theksoi se përvojat e gjykatave kushtetuese janë të vlefshme për çdo gjyqtar, shkruan Gazeta Enigma.

“Gjykata në Kosovë ka treguar një model të jashtëzakonshëm në sundimin e ligjit. Krijimi i këtij forumi do të forcojë më tej bashkëpunimin e gjykatave kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të njeriut,” tha Osmani.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, shprehu kënaqësinë që ky takim po zhvillohet në Prishtinë, duke theksuar rëndësinë e identifikimit të sfidave dhe bashkëpunimit për të forcuar vlerat e përbashkëta.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është nikoqire e Takimit të Dytë Vjetor të Forumit të Gjykatave Kushtetuese të Ballkanit, i cili bashkon gjykatat kushtetuese të Kosovës, Shqipërisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Turqisë.

Konferenca do të vazhdojë me dy sesione, duke përfshirë folës nga gjykatat kushtetuese dhe institucione ndërkombëtare, me qëllim të forcimit të bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave./GazetaEnigma/

Related Articles