Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama me të cilin ka biseduar për një sërë çështjesh, si dhe i ka ofruar mbështetjen e plotë të saj për çështje, të cilat paraqesin interes qytetar.
Në takim është diskutuar edhe për mundësinë e ndërtimit të objektit të Bibliotekës Presidenciale “Dr. Ibrahim Rugova”, institucion ky që ngërthen në vete jo vetëm historinë e presidentit Rugova, por edhe të shtet-ndërtimit të Kosovës, thuhet në një komunikatë të Presidencës.
Sipas presidentes Osmani, Prishtina ka peshë të rëndësishme në vend, prandaj zhvillimi i saj, kujdesi ndaj jetës së qytetarëve në komunë dhe aftësia për ta zhvilluar atë ka ndikim në zhvillimin e përgjithshëm të Kosovës.
Osmani ka shtruar çështjen e rritjes së kujdesit ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta, dhe ka ofruar bashkëpunim për projekte të përbashkëta në këtë drejtim.
Në mënyrë të veçantë, ajo u interesua për Qendrën për Down Sindrom dhe Autizëm, për të cilën kryetari Rama e njoftoi se deri në fund të shtatorit pritet të përfundojë ndërtimi i saj.
Osmani dhe Rama diskutuan edhe çështjen e kujdesit të cilin Kosova duhet ta tregojë ndaj kategorive të caktuara sociale, përfshirë të moshuarit.
“Përmirësimi i kushteve në Shtëpinë e të Moshuarve, si dhe ndërtimi i qendrave të reja për këtë kategori, krahas ndërtimit të qendrave për rehabilitimin e personave të varur nga substanca narkotike, janë shumë të rëndësishme”, ka theksuar Osmani.
Ajo kërkoi nga komuna e Prishtinës trajtimin me prioritet edhe të çështjes së qenve endacakë, teksa u diskutua se si mund të shfrytëzohen modele të shteteve të ndryshme të avancuara për ta trajtuar këtë çështje që është shndërruar në problem sigurie për qytetarët.
Ndërsa kryetari Rama foli mbi projektet e komunës së Prishtinës, si dhe për çështje të tjera në të cilat duhet të bashkëpunojë niveli lokal dhe niveli qendror, në interes të qytetarëve.