Presidentja Vjosa Osmani ka takuar sot kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në prag të zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Presidenca e Republikës së Kosovës bën të ditur se Osmani i ka theksuar Radoniqit rëndësinë e zhvillimit të një procesi zgjedhor të qetë, të rregullt dhe me integritet të plotë, si themel i demokracisë dhe i besimit të qytetarëve në institucionet e vendit.
“Në këtë takim, Presidentja Osmani vuri theks të veçantë te ndërhyrjet e drejtpërdrejta që po bën Serbia në zgjedhjet lokale, një dukuri e përsëritur ndër vite, e cila po manifestohet përmes blerjes së votës, ndërhyrjeve të jashtme, frikësimit dhe dhunës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Gjithashtu, theksohet se presidentja dënoi ashpër ndërhyrjet e Beogradit zyrtar, “duke bërë thirrje për angazhim të plotë në mbrojtje të integritetit të procesit zgjedhor”.
Osmani u bëri apel të gjithë akterëve politikë dhe institucionalë, si dhe atyre ndërkombëtarë, që të kontribuojnë në mbrojtjen e votës së lirë dhe të dënojnë çdo akt të jashtëligjshëm që cenon vullnetin demokratik të qytetarëve të Kosovës.
Më 12 tetor do të hapen 38 qendra votimi për votim me kusht, me gjithsej 54 vendvotime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim për akreditimin e 521 vëzhguesve
Deri tani, KQZ-ja ka certifikuar Listën e Votuesve për zgjedhjet e 12 tetorit, e cila përbëhet nga 2 milionë e 69 mijë e 99 votues, shtetas të Kosovës.