Osmani thotë se s’ka barazi në dialog: Neve na kërkohet Asociacioni e Serbisë asgjë

Osmani thotë se s’ka barazi në dialog: Neve na kërkohet Asociacioni e Serbisë asgjë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka marrë pjesë në Samitin për Demokraci që po mbahet në Kopenhagë të Danimarkës.

Osmani tha se Kosova do që t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog me Serbinë, por sipas saj, në secilën marrëdhënie kontraktuale ka dy palë dhe nëse njëra palë nuk e zbaton asnjë prej pikave të marrëveshjes dhe e minon atë, atëherë, siç tha ajo, çështja është se “a ka marrëveshje”.

“I kemi bërë pyetje BE-së që t’i kërkojë të dyja palëve që të bëhet çdo gjë paralelisht. Nuk i ikim obligimeve që lindin nga ajo marrëveshje, por edhe Serbia duhet të veprojë paralelisht. Obligimi kryesor nga ajo marrëveshje për Kosovën ka të bëjë me të drejtat e komuniteteve pakicë, posaçërisht krijimin e Asociacionit, por kjo është e kushtëzuar me Serbinë që të ushtrojë njohjen de-facto njëkohësisht”.

“Por, derisa Serbia e bën saktësisht të kundërtën dhe thotë se nuk do të ketë kurrë njohje as de-facto e as de jure, nuk do ta lejojë Kosovën që të bëhet anëtare e organizatave ndërkombëtare, atëherë cilat janë masat e sigurisë që do t’i kemi, sidomos ato të sigurisë që të mos e lejojnë këtë Asociacion të mos ikë nga kontrolli”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

Më tej, Osmani tha se Asociacioni që është prezantuar së fundi nuk i ngjanë Republika Sërpskas, por tha se duhet të sigurohen që të mos jetë as i përafërt me të.

“Pra, e vetmja mënyrë se si funksion kjo është në rast se zbatohet tërësia e marrëveshjes. Jo vetëm t’i kërkohet Kosovës të implementojë çdo gjë dhe t’i japë dritë të gjelbër Serbisë të bëjë çdo gjë që do”.

“Kemi aplikuar për në Këshillin e Evropës, i kemi kaluar dy fazat me sukses dhe tash po na thuhet se ‘duhet ta implementoni Asociacionin’ dhe kur pyesim se ‘a do ta bëjë Serbia pjesën e vet paralelisht, që do të thotë vota për Kosovën në KiE’, këtë s’ia kërkon askush Serbisë”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.

E para e shtetit tha se në dialogun Kosovë – Serbi, ka një mungesë totale të baraspeshës, e që sipas saj, e minon edhe kredibilitetin e dialogut.

“Shumë njerëz në Kosovë pyesin se njëra palë po i implementon marrëveshjet, atëherë ku është kuptimi i marrëveshjeve apo dialogut? Dhe nëse është kështu, pse i nënshkruajmë këto marrëveshje? Kemi ofruar që ta nënshkruajmë Planin franko-gjerman, por Serbia s’ka dashur t’i nënshkruajë”.

“Vuciqi ka thënë se ‘kam dhimbje në dorën time të majtë e të djathtë’. Ndërsa, Bërnabiq në Samitin e BE-së para gjithë liderëve ka thënë se s’do ta implementojnë këtë marrëveshje dhe asnjë lider i BE-së s’e ka pyetur se ‘çka do të thotë nuk do ta implementosh’”.

“Askush nuk foli me ta, secili vjen te ne. Nuk ka lidhje se çka bën Serbia, por Kosova duhet ta implementojë njëanshëm.  Do ta bënim, sikur të mos kishte rrezik ndaj sigurisë nga Asociacioni. Do ta bënim po të mos e dinim historinë e Republika Sërpskas”, tha Osmani.

Related Articles