Osmani uron 8 marsin: Kujtoni dhe inspirohuni nga shembulli i kampioneve tona

Osmani uron 8 marsin: Kujtoni dhe inspirohuni nga shembulli i kampioneve tona

Presidentja Vjosa Osmani ka uruar gjitha vajzat dhe gratë për festën e 8 marsit, duke rikujtuar sukseset e grave kosovare ndër vite, raporton Gazeta “Engma”.

Ajo ka uruar që vajzat dhe gratë të kenë një ambient ku ndihen të sigurta.

“Uroj që në këto 365 ditët në vijim fjalët ‘grua’ dhe ‘vajzë’ të vazhdojnë të jenë sinonim i triumfit, suksesit, ngadhënjimit dhe inspirimit ashtu siç ishin shumë vajza dhe gra në vitin që po e lëmë pas. Uroj që përgjatë vitit në vijim fuqizimi ekonomik i vajzave dhe grave të shërbejë si bosht rreth të cilit konceptohet dhe ideohet programit dhe politikat e zhvillimit ekonomik. Uroj që në ditët dhe në muajt në vijim vajzat dhe gratë tonë do të gëzojnë respektin e merituar, trajtimin dinjitoz dhe mbështetje të pakursyer. Uroj që në vitin që pason vajzat dhe gratë tona të ndihen të sigurta në shtëpi, rrugë, lagje dhe çdo hapësirë publike”, ka thënë ajo.

“Uroj për qasje të barabartë për vajzat dhe gratë në arsim, drejtësi, ekonomi, politikëbërje, në procese kyçe vendimmarrëse, trashëgimi e çdo sferë tjetër të jetës. Uroj përfundimisht për barazi në mes të atij dhe asaj. Sa më shumë që jetësohet ky synim aq më mirë do të jetë për të gjithë ne, si dhe për vendin dhe shoqërinë tonë. Shënimi i Ditës Ndërkombëtarë të Gruas këtë vit, jo vetëm në Kosovë por anembanë botës, përkon me kohën kur po ballafaqohemi me sfida të mëdha duke përfshirë rritjen e rasteve të dhunës në familje, rasteve evidente të diskriminimit mbi bazë gjinore, pabarazisë shoqërore, dhunës e etiketimeve në platforma elektronike e sociale, si dhe papunësisë së lartë në mesin e grave dhe vajzave”.

E para e shtetit ka thënë se të gjithë duhet të bëhen bashkë që barazia gjinore të frymojë në shtëpi, rrugë e kudo.

Ajo ka shtuar se barazia gjinore në praktikë është shumë larg asaj që është e shkruar në ligjet e Kosovës, njofton Klankosova.tv.

“Duhet të bashkohemi të gjithë gra e vajza, burrë e djem, të rinj e të moshuar, që t’i japim frymë barazisë gjinore në shtëpi, rrugë, vende pune, institucionet, komunitet e kudo tjetër. Ligjet në parim tingëllojnë mirë e kanë përmbajtje deri diku të kënaqshme por nga fjalët te veprat hendeku vazhdon të jetë i thellë dhe kjo është sfida jonë e përbashkët, qoftë e institucioneve ashtu edhe shoqërisë. Ky mbetet përkushtimi jonë prioritar dhe angazhimi jonë i përditshëm”, theksoi ajo.

Osmani përmendi edhe xhudistet Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi, të cilat ishin kthyer të arta nga Lojërat Olimpike në Tokio, duke thënë se ato janë shembulli më i mirë se si luftohen paragjykimet dhe stereotipet gjinore. / Gazeta Enigma.

Related Articles