Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur urimet e saj për Dukën e Madh Guillaume me rastin e marrjes së fronit të Luksemburgut, duke theksuar gatishmërinë për forcimin e mëtejshëm të partneritetit mes dy vendeve.
Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Presidentja Osmani ka shkruar “Urime të përzemërta Lartmadhërisë së Tij Mbretërore, Dukës së Madh Guillaume, për ngjitjen e tij në fronin e Luksemburgut. Mbretërimi i tij le të shënohet nga mençuria, forca dhe prosperiteti për Dukën e Madhe dhe popullin e saj.”Ajo ka vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet e ngushta ndërmjet Kosovës dhe familjes mbretërore të Luksemburgut ndër vite, duke përmendur kontributin e Dukës së Madh Henri dhe Dukeshës së Madhe Maria Teresa.
“Ne gjithashtu e vlerësojmë thellësisht miqësinë dhe mbështetjen e Lartmadhërive të Tyre Mbretërore, Dukës së Madh Henri dhe Dukeshës së Madhe Maria Teresa gjatë viteve. Ne shprehim urimet tona më të ngrohta për të ardhmen dhe shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për miqësinë dhe bashkëpunimin e tyre të qëndrueshëm.”
Presidentja ka rikonfirmuar angazhimin për thellimin e lidhjeve mes Kosovës dhe Luksemburgut, duke e cilësuar këtë vend si aleat të rëndësishëm.
“Ne mezi presim të forcojmë më tej partneritetin tonë me Luksemburgun, një aleat të palëkundur të popullit të Kosovës”, shkruan Osmani.