Pacolli për “Grandin”: Drejtësia erdhi vetëm pa 18 vitesh në arbitrazhin ndërkombëtar

Pacolli për “Grandin”: Drejtësia erdhi vetëm pa 18 vitesh në arbitrazhin ndërkombëtar

Ish-presidenti dhe biznesmeni Behgjet Pacolli ka reaguar pas vendimit të arbitrazhit ndërkombëtar që obligon shtetin e Kosovës t’i kthejë atij 6.7 milionë euro, raporton Gazeta “Enigma”.

Pacolli i ka quajtur të pavërteta akuzat se po i merr para shtetit dhe ka theksuar se këto mjete i janë rrëmbyer padrejtësisht nga individë të fuqishëm në emër të shtetit.

“Nuk e di pse disa më përflasin, duke më akuzuar sikur po i marr shtetit të Kosovës 6.7 milionë euro.E vërteta është krejt ndryshe: unë vetëm po e rikthej mjeteve e mia, të cilat “njerzit e fortet”te këtij shteti, në emër të këtij shteti m’i kanë rrëmbyer padrejtësisht!”, ka shkruar ai.

Tutje Pacolli përmes jë postimi në profilin e tij në Facebook ka deklaruar se këto 6.7 milionë euro nuk janë të shtetit, por të miat.

“Këto 6.7 milionë euro nuk janë të shtetit, por të miat – të grabitura vetëm sepse refuzova t’u paguaja ryshfet njerëzve të korruptuar, të cilët ishin mësuar të zhvatnin duke përdorur dorën e pushtetit. Këta njerëz u denoncuan e unë kalova nëpër të gjitha instancat gjyqësore në Kosovë, por nuk gjeta drejtësi. Drejtësia erdhi vetëm pas 18 vitesh në arbitrazhin ndërkombëtar”, ka shkruar Pacolli.

Ai ka akuzuar zyrtarë të qeverisë aktuale për shpifje dhe kërcënime ndaj tij gjatë procesit, duke njoftuar se ka nisur një tjetër proces ligjor për të mbrojtur dinjitetin e tij.

“Madje, disa nga zyrtarët e kësaj qeverie ( aktuale) nuk ngurruan të më kërcënojnë e në menyra tjera frustruese të shpifin kundër meje, duke përdorur madje edhe gjuhë të ulët gjatë procesit. Për këtë arsye, tashmë kam hapur një tjetër proces ligjor për të mbrojtur dinjitetin tim kundër atyre njerëzve primitiv që përdornin akuza të ulta qe ne ishim mesuar ti shifnim nepër rrjetët sociale; pra unë po rikthej vetëm ato që më takojnë; asnjëherë nuk kam pretenduar të marr diçka që nuk është e imja” ka theksuar ai.

Pacolli ka mohuar pretendimet se ai ka përfituar padrejtësisht nga procesi i privatizimit, duke thënë se mbi 95% e objekteve që ka blerë në Kosovë kanë qenë nga pronarë privatë dhe gjithmonë ka paguar çmimin e tregut.

“Qëndrimi im kundër grabitjeve dhe zhvatjes është dëshmuar edhe në procesin e privatizimit. Më shumë se 95% e objekteve të blera në Kosovë, janë blerë nga pronarë privatë, e jo nga AKP-ja. Dhe gjithmonë kam paguar çmimin e tregut! Unë AKP-në e kam parë gjithmonë si një institucion të “korrupsionit të legjitimuar””, ka shkruar ai.

Në fund, ai theksoi kontributin e tij në Kosovë, duke deklaruar se në 15 vitet e fundit ka dhuruar mbi 40 milionë euro për ndihma humanitare, ndërtimin e shkollave, spitaleve dhe objekteve publike.

“Në 15 vitet e fundit, unë i kam dhënë shtetit dhe popullit të Kosovës mbi 40 milionë euro në forma të ndryshme: Kam ndihmuar familjet në nevojë; Kam ndërtuar shtëpi për skamnorët; Kam mbështetur studentët dhe të sëmurët; Kam ndërtuar shkolla, universitete, memoriale dhe objekte të trashëgimisë; Kam financuar edhe rindërtimin e objekteve kyçe të institucioneve të Kosovës – madje edhe për ata që sot më shajnë e më fyejnë”, ka përfunduar Pacolli. /Gazeta Enigma/

Related Articles