Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se po mundohen të gjejnë një zgjidhje për pagesën e rrymës për serbët e komunave veriore, duke shtuar se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Ajo sqaroi se në fund të vitit të kaluar u detyruan t’i ndajnë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës edhe 17 milionë euro për Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike në Kosovë – KOSTT.
Sipas saj, KOSTT gjatë kësaj periudhe ka akumuluar borxhe e kanë ardhur fatura që më pas vinë edhe me interesa nëse nuk paguhen me kohë.
“Nuk mund të vazhdojë pafundësisht dhe jemi duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje të cilat do të mundësojnë faturimin e rrymës të qytetarëve të asaj pjesë”.
“Po flasim për periudhë gusht deri nëntor. Flasim për fatura gusht e shtator, kanë qenë të parapara të paguhen. Janë shtuar edhe tetori e nëntori, duke qenë se faturat kanë ardhur e ishte periudhë në të cilën diskutimet po vazhdonin mes KEDS e Elektroseverit”.