Selmani shënon në fitoren e thellë të Hammarby ndaj Degerfors

Selmani shënon në fitoren e thellë të Hammarby ndaj Degerfors

Astrit Selmani shënoi gol në fitoren e thellë 4:1 të ekipit të vet Hammarby kundër Degerfors të dielën, i cili ishte i pari për sulmuesin kosovar në ligën elitare suedeze që prej muajit gusht.  

Përfaqësuesi i Kosovës Selmani e realizoi golin e dytë të ekipit, kur e mposhti portierin nga penalltia, duke i ndihmuar Hammarby të mbetet në garë për kreun e tabelës.

Hammarby është në vendin e pestë në tabelën e Allsvenskan me 49 pikë nga 28 ndeshje, gjashtë më pak se liderja Malmo dhe tri më pak se vendi i tretë, i fundit që dërgon në kualifikime për garat evropiane.

24-vjeçari kishte 10 ndeshje radhazi pa shënuar gol në ligë, megjithëse në dy prej tyre mungoi shkaku i një tronditjeje që e kishte pësuar në kokë dhe në një tjetër për shkak të pezullimit me kartonë.

Hera e fundit kur ai kishte shënuar gol në ligë dhe në të gjitha garat në përgjithësi ishte në fitoren 2:1 kundër Malmos më 29 gusht.

Selmani – i cili debutoi për Kosovën në humbjen kundër Suedisë në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2022 në shtator – ende nuk e ka gjetur golin me ekipin kombëtar.vPor ai i ka zhvilluar vetëm 34 minuta futboll për verdhekaltrit deri tani. 

Related Articles