Virusi “coxsackie” që po prek fëmijët në Kosovë, 15 të shtruar në QKUK

Virusi “coxsackie” që po prek fëmijët në Kosovë, 15 të shtruar në QKUK

“Coxsackie virusat bëjnë pjesë në familjen e enterovirusëve që do të thotë se gjenden në traktin digjestiv të njeriut. Virusi zakonisht shpërndahet nga personi në person përmes duarve të papastërta” ka thënë pediatri, Jashar Ramadani në një përgjigje për Gazetën ‘Enigma’.

“Poashtu virusi shpërndahet nga sipërfaqet e papastërta të kontaminuara nga fecesi (jashta) ku mund të mbeten gjallë dhe jetojnë për disa ditë. Përhapet edhe me sekrete të ndryshme, me jashtë dhe nga fyti (te fëmijët me lodra të ndryshme që futen në gojë)”, ka theksuar Ramadani.

Pediatri, Jashar Ramadani

Gjatë muajit nëntor 15 fëmijë janë paraqitur në Klinikën e Pediatrisë në QKUK për kontroll nga infektimi me virusin Coxsackie.

Pediatri, Jashar Ramadani, ka thënë për Gazetën ‘Enigma’ se simptomat e këtij virusi janë: pikat e kuqe në duar, këmbë e gojë, të cilat kanë shkaktuar panik te prindërit, por që situata është stabile.

“Simptomat janë të një spektri të gjerë, gjysma e fëmijëve nuk zhvillojnë asnjë simtom dhe janë bartës të virusit. Gjysma tjetër kanë shenja gripi- dhembje fyti, nause (vjellje), kokëdhembje, dhembje muskujsh dhe trupi, diskomfort të traktit digjestiv. Fëmijët zhvillojnë temperaturë e cila zakonisht tërhiqet pas 3 ditësh”, ka deklaruar ai.

“Ndryshimet në duar dhe këmbë janë skuqje me ngritje, të madhësisë rreth 2 – 3 mm që prindërit i përshkruajn si “ushla”, ka theksuar Ramadani.

Cilat janë shenjat e virusit Coxsackie?

“Në shumicën e rasteve infekcioni shkakton shenja të lehta dhe të ngjashme me gripin me temperature, ethe, ankesa në dhëmbje barku dhe zakonisht kalon edhe pa ndonjë trajtim”, ka thënë ai.

Njëherit, Ramadani ka theksuar se “Në disa raste shkakton edhe gjendje më serioze të meningjitit ( infekcion të cipave të trurit) , perikardite, endokardite, herpangine ( ndezje fyti me qelbezim) hepatit ( ndezje të mëlqisë). Këto gjendje kërkojnë trajtim serioz dhe eventualisht hospitalizim”.

Si bëhet përhapja e këtij virusi dhe kush janë më të rrezikuarit?

“Pos të rriturit kjo sëmundje i atakon edhe fëmijët vizitorë të qerdheve dhe formave të organizimeve të ndryshme kolektive”, ka thënë Ramadani.

Sipas pediatrit më të rrezikuarit janë fëmijët që frekuentojn qerdhet.

“Fëmijët që vizitojnë qerdhet ishin në linjë të parë të infekcionit me manifestimet e lartëpermendura si dhe me ndryshimet në duar dhe këmbe si dhe rreth gojës dhe mukozave të gojës me afte”, ka deklaruar ai.

Sa është kohëzgjatja e këtij virusi?

Ramadani ka thënë se “Sëmundja zgjatë rreth disa ditë dhe tërhiqet. Nuk ka ndonjë trajtim specifik për virusin por gjithësesi duhet patur kujdes kur zhvillojnë temperaturë të mos i humbin lëngjet”.

Si bëhet trajtimi i virusit Coxsackie?

Sipas pediatrit ky virus “Trajtohet me ibuprofen apo acetaminofen kundër temperaturës dhe të rehidrohen mirë (sa më shumë lëngje)”.

Këshilla

“Të mbahet niveli i pastërtisë personale posaqërisht duart si dhe hapsira ku jetojnë”, ka thënë ai.

“Nënat që i ndërrojnë fëmijët kur zhyten me nevojë të kenë tepër kujdes ngase bartja është oro-fekale. Institucionet parashkollore dhe qerdhet të mbajnë nivelin e shtuar të higjienës së ambientit dhe lodrave”, ka përfunduar Ramadani.

Virusi Coxsackie është një infeksion viral që i përket familjes së viruseve herpes që jetojnë dhe shumohen në traktin tretës të njeriut. Coxsackie shpesh paraqitet me sindromën dorë-këmbë-gojë.

Sindroma e merr emrin nga skuqjet tipike që mbulojnë këto pjesë të trupit. Simptomat e saj i ngjajnë stomatitit të njohur, gripit të zorrëve, ndonjëherë sëmundja diagnostikohet gabimisht si poliomelit akut./Gazeta Enigma/

Related Articles