Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg

Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve nga bizneset dënohet me burg

Paralajmërimet e vazhdueshme për rritjen e çmimit të produkteve esenciale kanë përhapur panik te qytetarët.

Në 24 orët e fundit kemi parë radhë të gjata të qytetarëve për t’i vlerë produktet esenciale, ku si pasojë raftet janë zbrazur, raporton Gazeta Enigma.

Paralajmërimi i rrejshëm i rritjes së çmimeve është vepër penale.

Këtë e ka përcaktuar ligjvënësi në Kodin Penal kur e ka paraparë se kushdo që me qëllim të mashtrimit të blerësve shpall rrejshëm se pritet rritja e çmimit të mallit është vepër penale dhe si e tillë është e dënueshme deri në 1 vit burgim.

Pra, është paragrafi dy i nenit 293, i cili ka përcaktuar se shpallja e rrejshme për rritjen e çmimeve të mallit dënohet deri në 1 vit burgim.

Gjatë këtyre dy ditëve çmimet e disa produkteve esenciale janë rritur dukshëm. Çmimi i vajit të lulediellit ka shkuar deri në 3.50 euro për dallim nga dy ditë më parë kur çmimi i këtyre produkteve shkonte deri në 1.70 euro.

Paralajmërimet e tilla  kanë bërë që kërkesa e qytetareve për këto produkte të rritet në masë të madhe dhe rrjedhimisht çmimi i tyre të arrijë në 3.50 euro në 24 orët e fundit.

Pas rritjes enorme të çmimeve ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka paralajmëruar masa për të gjitha marketet që po rrisin në mënyrë artificiale.

Ai këto deklarata i bëri pasi vizitoi një fabrikë të vajit në Gjilan, ku tha se inspektorët janë duke i dokumentuar shkeljet që po ndodhin me çmime.

“Po të ishte çmimi 3.50 euro për një litër vaj ndoshta do të ishte rastësi, por është 3 euro e 49 centë dhe kjo është fryrje artificiale e çmimit. Në Kosovë aktualisht është çmimi më i lartë i vajit në botë. Kjo fryerje duhet të ç’fryhet. Padyshim që do të marrim masa, inspektorët janë duke i dokumentuar të gjitha shkeljet, mirëpo unë nuk udhëhiqem nga ideja e ndëshkimit, jam i udhëhequr nga parandalimi i dëmit që tashmë po shkaktohet”, tha Kurti para gazetarëve.

Një tjetër reagim ka ardhur edhe nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), duke njoftuar se përmes Inspektoratit të Tregut, po inspekton intensivisht operatorët ekonomikë për ngritjen e menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale, siç janë vaj ushqimor, mielli, sheqeri e të tjera.

MINT ka thënë se sipas të dhënave, operatorët kanë zbrazur me qëllim raftet e marketeve vetëm një ditë më parë, për të krijuar përshtypjen se ka mungesë të produkteve.

“Sipas të dhënave nga terreni, disa operatorë kanë zbrazur dje raftet e vajit ushqimor në pikat e shitjes me pakicë, duke krijuar përshtypjen se ka mungesë të produktit. Kurse sot kanë rikthyer këtë produkt me çmimin 3,49 euro për litër. Vaji ushqimor është importuar ditë më parë dhe fillimisht është shitur me çmim 1,50 euro për litër”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë edhe  Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar në lidhje për ngritjen e çmimeve të produkteve bazike.

Haxhiu ka ftuar prokurorinë që të ndërmarrë mënjehërë veprime. Ajo ka bërë të ditur se ata që bëjnë kurdisje të çmimeve të fryra do të gjobiten dhe rrezikojnë të dënohen 1 deri në 5 vite me burgim.

“Një kurdisje dhe orkestrim të të cilit po jemi dëshmitarë, është vepër penale e sansksionuar në mënyrë të dyfishtë, me burgim (1-5 vite) si dhe dënim shtesë me gjobë, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Albulena Haxhiu.

Albulena Haxhiu ka ftuar Prokurorinë që të ndërmarrë menjëherë masa kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm.

“Ftoj Prokurorin e Shtetit, që bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore të përcaktuara, të ndërmarrë menjëherë veprime në përputhje me mandatin e tij, kundër abuzuesve që po përfitojnë paligjshëm që me veprimet e tyre po dëmtojnë qytetarët e vendit tonë”, ka shkruar Haxhiu.

Për rritjen e çmimeve kanë reaguar edhe opozita dhe Partia Social Demokrate

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka hedhur akuza në drejtim të Qeverisë së Kosovës, pas ngritjes së çmimeve.

Ai tha se paralizimi i Autoritetit të Konkurrencës, duke mos e zgjedhur bordin e këtij institucioni, ka krijuar këtë moskontrollim në tregje.

“Çmimi i vajit rritet në rekord botëror, sepse fiksimet e mashtruesve s’ka kush t’i kontrollojë. S’ka kush t’i kontrollojë sepse në njërën anë inspektorët e shtetit nuk janë askund; e në anën tjetër Autoriteti i Konkurrencës është i paralizuar e pa funksion. Sot bëhen 10 muaj që kur Qeveria praktikante e Kurtit ka lënë këtë institucion pa Bord, rrjedhimisht pa njerëz që nisin hetime apo marrin vendime në kohë krizash si sot”.

Abdixhiku ka shkruar se kjo që po ndodh është “çmimi i paaftësisë e neglizhencës”.

“Është çmim i braktisjes së detyrave bazike shtetërore. Ne jemi në krizë. Dhe në këtë krizë nuk kemi Qeveri”

Kurse, PDK-ja ka dalur me 7 kërkesa për qeverinë Kurti në lidhje për ngritjen e çmimeve

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili në një konferencë për media ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës për mosveprim dhe vonesë në reagim ndaj krizës që ka kapluar qytetarët nga rritja e çmimeve.

“Kujtojmë se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e paralajmëroi Qeverinë Kurti për çmimet e energjisë disa muaj para se ato të bëheshin realitet për qytetarin. E njëjta ndodhi edhe kur paralajmëroi që çmimi i produkteve ushqimore do të rritej në masë drastike.”, tha ai.

Më poshtë mund t’i shhini 7 kërkesat e PDK-së drejtuar qeverisë Kurti:

1. Të largoj përkohësisht akcizën e aplikueshme mbi importin e naftës për një periudhë 3 mujore

2. Largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri deri më 1 korrik

3. Largimin e TVSH-së për të gjitha lëndët e para në sektorin e bujqësisë deri më 1 tetor

4. Largimin e TVSH-së për lëndët e para për prodhuesit vendorë të mallërave esenciale deri më 1 shtator

5. Lansimin e një programi 3 mujor me BQK deri më 1 qershor për qytetarët që nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimeve

6. T’i mbështesë furnitorët e grurit dhe produkteve tjera esenciale për t’u qasur në tregjet ndërkombëtare

7. Të obligohen të gjitha ambasadat e Kosovës të vendosin kontakte per të siguruar furnizim me lëndë të parë për prodhuesit vendorë dhe mallëra esenciale për qytetarët.

Po ashtu Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të mërkurën ka dalur me pesë propozime emergjente për daljen nga kriza

Besnik Tahiri në emër të AAK-së, ai i ka propozuar Qeverisë së Kosovës pesë pika, që do të ndikonin në lehtësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës në këtë kohë.

“Kërkojmë që derisa të aprovohet ligji i pagave secilit zyrtar publik me vendim të qeverisë t`i ndahen nga 100 euro shtesë. Largimin e akcizës, përkohësisht për derivate Kërkojmë që të ketë subvencionime shtesë nga Ministria e Bujqësisë për ata që sigurojnë grurin e miellin, përmes riorganizimit të buxhetit të Ministrisë së Bujqësisë Të rritet paga minimale në Kosovë, vendim për pagën menjëherë Tashmë këtë e kemi në procedurë për Kushtetuese, tarifat e reja të energjisë, të ketë veprime urgjente”, ka thënë ai.

Lideri i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj përmes një konference për media i ka propozuar qeverisë tetë masa për parandalimin e rritjes së çmimeve në Kosovë.

Kjo pasi sipas tij, nga frika e luftës po rriten çmimet ditë pas dite.

“Qeveria e Kosovës po e përdorë luftën në Ukrainë për t’i futur njerëzit në ethe të luftës. Një ditë bën vetë politikë të frikës, të nesërmen kërkon prej njerëzve përmbajtje nga paniku sepse kështu po rriten çmimet. Kryeministri Kurti, Kryetari i Kuvendit Konjufca dhe Presidentja Osmani kanë deklaruar ditë me parë për rrezikun direkt të një agresioni serb”.

Më tutje Mollqaj ka propozuar tetë masa që sipas tij janë urgjente të ndërmerren.

“1. Rritja e pagës minimale në 350 euro;

2.  Heqja e akcizës dhe TVSh-së në naftë për bujqit, industrinë prodhuese dhe transportin urban e ndër-urban;

3.    Përgjysmimi i TVSh-së në derivate për konsumatorët e zakonshëm;

 4.    Dyfishimi i pensionit për këto kategori: pensionet e moshës, pensionet për personat me aftësi të kufizuara, pensioni familjar, pensioni invalidor i punës (nga 100 në 200 euro);

5.    Heqja e tatimit në të ardhurat personale deri në 350 euro; 

6.    Vënia në funksion e mekanizmave për t’i ndaluar spekulimet në treg;

7.    Dyfishimi i Rezervës Shtetërore në mënyrë që të kemi stabilitet të çmimeve.

8.   Heqja e TVSh-së për produktet bazë siç janë mielli, vaji, sheqeri, kripa, qumështi dhe vezët

Related Articles