Pas rreth katër vitesh zvarritje, në tetor të këtij vitit pritet të përfundojnë punët për zgjerimin e rrugës Gjilan – Bujanoc, projekt i cili kushton 3.1 milionë euro.
“Bazuar në dinamikën e paraparë, planifikohet që punimet sipas kontratës të përfundojnë në fund të shtatorit 2023 apo fillim të tetorit 2023” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Ata kanë thënë se edhe përkundër që ka pasur reshje të shiut vazhdimisht, janë përgatitur dhe asfaltuar katër korsi me nga dy shtresa në gjatësi 900 metra dhe një kilometër dhe se pjesa tjetër e mbetur në gjatësi një kilometër është duke u përgatitur për asfaltim.
“Pritet deri më 20 korrik të asfaltohet” – tregon MMPHI për Kallxo.com
Puna për zgjerimin e rrugës 2.9 kilometra kishte filluar në vitin 2019. Për vonesat në zgjerimin e kësaj rruge, në fund të muajit prill të vitit 2023 ka pasur edhe protesta nga ana e qytetarëve dhe bizneseve që janë të vendosur në këtë pjesë të qytetit të Gjilanit.
Derisa shefi i grupit të LDK-së në Gjilan, Avdyl Aliu, është shprehur se nuk ka ndonjë arsye të qëndrueshme për zvarritjen e këtyre punimeve.
“Në rrugën e Bujanocit, e cila njëkohësisht është edhe zonë industriale e komunës, segmenti i parë nga kazerma e deri te Drini është kryer në kohë dhe pa pengesa të mëdha, ndërsa, segmenti i dytë nga Drini e deri te kyçja në autostradë edhe pse i planifikuar teknikisht dhe financiarisht është vonuar dhe zhagitur ekzekutimi i punëve pa ndonjë arsye të qëndrueshme” – ka theksuar Aliu.
Në lidhje me vonesat, drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Gjilanit, Mentor Mihovci, ka thënë se kontrata e vitit 2019 apo 2020, e lidhur prej Ministrisë nuk ka pasur mjete financiare mjaftueshëm të ndara në kohën kur është iniciuar.
Arsye tjetër e cila ka kontribuar në zvarritje e edhe ndërprerje të punime është përmendur edhe COVID-19, inflacioni e kushtet klimatike.
“Për shkak të ngritjes së inflacionit, kanë kërku kompanitë se jepet një e drejtë e ligjit të prokurimit publik, që në rastet kur ka ngritje të inflacionit, që ka ndiku në ngritjen e çmimeve të materialeve ndërtimore, kanë të drejtë me kërku njëfarë pjese apo mos me punu kompanitë, pa iu bo kompensimi për atë pjesë të ngritjes” – ka thënë drejtori.
Drejtori Mihovci ka shtuar se këtë vit, MMPHI-ja ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për përfundimin e punimeve
“Sipas menaxherit, thuhet që pagesat janë duke u kryer sipas kryerjes së punës në terren, pra, gjithçka është duke shkuar në harmonizim, kështu më është thënë” – tha Mihovci.
Nga kompania, e cila po kryen punimet “NNT ABC SH.P.K, kanë treguar se ata kanë punuar në vazhdimësi, pavarësisht që u përballën me disa pengesa.
“Pengesa kemi pas nga më të ndryshmet, nga KEDS, për zhvendosje të shtyllave TN, nga disa pronarë parcelash për pronat e tyre në rrethrrotullim, nga pandemia COVID, nga rritja enorme e çmimeve”- kanë thënë nga kjo kompani.