“Pas Elezit, shkoj edhe Lumezi” – Dita e fundit Aleksandër Lumezit në kolltukun e Kryeprokurorit

“Pas Elezit, shkoj edhe Lumezi” – Dita e fundit Aleksandër Lumezit në kolltukun e Kryeprokurorit


Për herë të parë u ul në karrigen e Kryeprokurorit të Shtetit në prill të vitit 2015, për të mos u lëkundur më përkundër stuhive, deri më sot, shkruan Gazeta “Enigma”.

Aleksandër Lumezi, emri i të cilit u përfshi në afera e skandale të publikuara ndër vite, mbajti plot 7 vite, aq sa kishte mandat karrigen e Kryeprokurorit të Shtetit.

Për ta shënuar fundin e kësaj pike të karrierës së tij, Lumezi u paraqit në një nga mediumet që ishte më kritike ndaj tij, në “Kallxo.com”.

Aty deklaroi të mërkurën se edhe nëse nuk arrin të bëhet dekretimit i kandidatit Blerim Isufaj si kryeprokuror nga ana e Presidentes Vjosa Osmani, nuk do pranojë të mbetet ushtrues detyre në atë pozitë.

“Shpresoj shumë që presidentja do dekretoj kandidatin që unanimisht është votuar nga Këshilli Prokurorial. Nëse kjo nuk bëhet, atëherë duhet të mblidhet Këshilli Prokurorial i Kosovës, me një pikë të rendit të ditës, caktimi i U.D, të kryeprokurorit të shtetit deri në marrje të dekretit nga presidentja”, ka thënë Lumezi.

“Unë kam pas biseda me anëtarë në KPK dhe ndërkombëtar dhe kam vendosur që unë kurrsesi të mos e pranoj detyrën e u.d të kryeprokurorit por të propozohet dikush nga prokurorët e zyrës së kryepokurorit të shtetit gjatë kësaj periudhe”, shtoi tutje Lumezi.

Lumezi njoftoi se ai do mbetet si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Si nisi karriera e tij?

Aleksandër Lumezi është dekretuar në prill të 2015-tës nga presidentja e atëhershme e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, në pozitën e kryeprokurorit të Shtetit.

Pas një procesi të stërzgjatur, njëvjeçar, të ndikuar nga klanet dhe politika, Aleksandër Lumezi ia ka arritur të fitojë betejën që, siç ka thënë ai, do t’i jep fund ndikimeve të të gjitha llojeve mbi Prokurorinë e Republikës së Kosovës.

Lumezi, ka  lindur më 1964, në Prizren.

Ai ka mbaruar Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, ku po ashtu ka dhënë edhe Provimin e Jurisprudencës.

Ai është i biri i avokatit Nikë Lumezi, ish kryetar i Gjykatës Supreme të Kosovës. Më 1989, dy vjet, ka filluar punën si praktikantë në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, por më pas ka punuar në zyrën e avokatisë së babait të tij në Prishtinë.

Më 1998-1999 Lumezi ishte bartës i projektit “Ndihmë Juridike grave”, të Fondacionit Soros, ndërsa dy vjet më pas ishte Hulumtues në Fondin për të drejtën Humanitare, zyra në Prishtinë.

Nga vitit 2000-2008, kryeprokurori i porsa-dekretuar ishte zëvendës/kryeprokuror në Prokurorinë Komunale të Prishtinës, ndërsa 2008-2010 ishte kryeprokuror i kësaj prokurorie.

Në qershor të vitit 2010, Lumezi është përzgjedhur kryeprokuror në Prokurorinë e Qarkut në Prishtinë, e cila më vonë ka marrë emrin Prokuroria e Apelit dhe prej sot nga kjo pozitë do të kalojë në krye të Prokurorisë së Republikës së Kosovës, si Kryeprokuror i Shtetit.

Skandali me Provimin e Jurisprudencës.

Në vitin 2017, mediat ngritën dyshime se Aleksandër Lumezi nuk e kishte kryer në të vërtetë Provimin e Jurisprudencës.

Në atë kohë nisën menjëherë hetimet ndaj Lumezit.

Ministri i atëhershëm i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili vinte nga radhët e PDK-së, parti kjo e cila shihej si e afërt me Lumezin, kishte thënë se kjo është çështje shumë shqetësuese dhe se Lumezi do të hetohet.

“Unë kam kërkuar që ky hetim të jetë shumë efikas dhe të përfundohet sa më shpejt që është e mundur, sepse kemi të bëjmë më pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Nëse kemi të bëjmë me diçka të vërtetë, pra nëse është falsifikuar, normalisht se një person i tillë nuk mund të qëndrojë në krye të një organi kaq të rëndësishëm, mirëpo nëse nuk kemi të bëjmë me diçka që nuk është falsifikuar, atëherë duhet të mbyllet ky debat sepse po dëmtohet rëndë imazhi i institucionit”, kishte thënë ministri Tahiri.

Ai ka deklaruar se për këtë çështje ka kërkuar përfshirjen edhe të ndërkombëtarëve, gjegjësisht EULEX-it, duke thënë se pret që brenda kësaj jave do të përfundojë ky rast me një hetim të qartë dhe kredibil.

E vet Kryeprokurori Lumezi, kur ka folur ditë më parë për këto akuza ka thënë se Kryeprokurori i Shtetit është goditur nga një i dënuar për korrupsion dhe që i mbështetur edhe nga disa grupe të interesit po dëshirojnë ta shohin të dështuar sistemin Prokurorial në Kosovë.

Ai ka thënë se nuk do të lejojë asnjëherë që institucioni i Prokurorit të Shtetit dhe as puna e tij të denigrohen, siç ka theksuar ai, me akuza të fabrikuara dhe të sajuara.

Ndërkohë nga gjetjet e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD, dëshmohet se dosja e Aleksandër Lumezit në tërësi është e manipuluar dhe kjo është argumentuar përmes hulumtimit të këtyre dokumenteve relevante origjinale:

 Dosjes personale të praktikantit Aleksandër Lumezi;

Librit të regjistrimit të paraqitjes së provimit;

Dosjes bazë me procesverbalin mbi dhënien e provimit;

Certifikata e dhënies së provimit nuk përputhet me dosjen bazë;

Gjetjet në të gjitha këto dokumente origjinale – në librin amzë mbi dhënien e provimit – dëshmojnë se: 

 Aleksandër Lumezi nuk e ka paraqitur provimin e jurisprudencës në librin origjinal të paraqitjes së provimit, i cili ekziston në Arkivin e Kosovës;

Aleksandër Lumezi në librin origjinal të paraqitjes së provimit figuron vetëm mbi llakun e bardh në të cilin ishte shkruar në origjinal Zymer Krasniqi; Pra, provimi është paraqitur nga Zymer Krasniqi dhe kjo mbështetet në të gjitha dokumentet e dosjes personale dhe në dëshminë e vetë Krasniqit.

Dosja bazë nuk i takon Aleksandër Lumezit;

Aleksandër Lumezi figuron në dosjen bazë vetëm mbi llakun e bardh në të cilin ishte shkruar në origjinal Zymer Krasniqi; Pra, dosja bazë i takon Zymer Krasniqit dhe kjo mbështetet në të gjitha dokumentet e dosjes personale dhe në dëshminë e vetë Krasniqit.

Procesverbali mbi dhënien e provimit të jurisprudencës, i cili figuron në brendi të dosjes bazë i takon Aleksandër Lumezit. Zymer Krasniqi nuk ka fare procesverbal në dosjen bazë.

Procesverbali i Aleksandër Lumezit është në kundërshtim të plotë me ligjin, duke përfshirë rënien në provime dhe numrin e lëndëve që është riprovuar me shkrim.

E gjithë kjo zhurmë përfundoi me vendimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila konstatoi se dosja e z. Lumezi për provimin e jurisprudencës është konform dispozitave dhe procedurave të atëhershme për administrimin e këtij provimi, dhe se ai në mënyrë të pakontestueshme e ka dhënë provimin e jurisprudencës.

Afërsia me PDK-në dhe përfshirja e Lumezit në aferën “Pronto”

Përpos skandalit të lartcekur, emri i Lumezit është lakuar edhe në një nga skandalet më të mëdha në 10 vitet e fundit, atë të aferës së “Prontos”.

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ishte shqyrtuar si prurje e re e Partisë Demokratike të Kosovës nga grupi i krerëve të kësaj partie, tashmë i njohur si klani “Pronto”.

Disa incizime të bisedave nga viti 2011 mes Adem Grabovcit, Kadri Veselit, Besim Beqajt dhe Hashim Thaçit, lënë të kuptohet për afrinë e Lumezit me PDK-në, në kohën kur ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Qarkut në Prishtinë.

Bisedat e siguruara janë pjesë e një diskutimi mes njerëzve kyç të PDK-së rreth çështjes nëse Aleksandër Lumezi do të bëhej pjesë e partisë. / Gazeta Enigma.

Related Articles