Presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e programit të MCC-së për Kosovën — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Osmani ka thënë se ky vendim vjen pas takimeve që ajo ka zhvilluar në Washington, ku ka paraqitur këtë kërkesë. Ajo ka thënë se ky është lajm i shkëlqyeshëm për Kosovën, teksa ka shprehur mirënjohje të thellë për ShBA-në.
“Pas takimeve të shkëlqyeshme në Washington D.C ku diskutuam për rëndësinë e Kompaktit të MCC për Kosovën, jam informuar edhe zyrtarisht nga Zv. Sekretari amerikan i Shtetit, Christopher Landau, se Administrata Trump ka miratuar vazhdimin e këtij programi për Kosovën — një program me ndikim transformues për sektorin e energjisë dhe zhvillimin ekonomik të vendit tone”, ka shkruar Osmani.