Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se janë duke punuar për vënie të masave ligjore për produktet esenciale.
Hajdari tha se grupi punues do të analizojë se çfarë mase ligjore do të ndërmarrin, atë të marzhës tregtare apo të çmimit tavan.
“Pas koncept-dokumentit të Ministrisë së Infrastrukturës, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë me çmimet tavan të derivateve, kemi formuar edhe grupin e dytë punues për produktet esenciale. Këto produkte do të përfshihen në masë ligjore: gruri, mielli, buka, orizi, pasta nga gruri i fortë, vaji ushqimor i lulediellit, qumështi, kripa, veza, mishi i pulës, sheqeri, sapuni, detergjenti dhe pecetat higjienike. Do të analizojmë se cilën masë do ta marrim, a do të shkojmë me çmime tavan apo marzhë tregtare. Të gjitha këto do të ndodhin shumë shpejt. Por se cilën masë do ta marrim, varet nga analiza e situatës. Do të marrim një masë që do të ndalojë spekulimet sepse jemi të informuar çdo ditë nga Dogana për çmimet furnizuese nga importi”, ka thënë ajo.
Hajdari tha se është autoriteti i konkurrencës, i cili do të tregojë se a duhet apo jo, të veprohet me masa ligjore.
Ajo foli edhe për takimin me ministrin e Bujqësisë, Faton Peci, ku tha se 70 për qind e tregut do të mbulohet nga fermerët vendorë falë subvencioneve nga qeveria.
“Në takim me ministrin Peci e kemi konsultuar raportin e gjelbër, që referon se mbi 70 për qind e tregut mund të mbulohet nga fermerët vendorë, dhe ministri i bujqësisë e jep këtë siguri që do të kemi rezerva nga fermerët… 70 për qind e tregut do të mbulohet nga fermerët vendorë falë subvencioneve nga qeveria”, shtoi ajo.