“Pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, u mundësua gjykimi në mungesë”

“Pas ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, u mundësua gjykimi në mungesë”

Deputetja e LVV, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se pas ndryshimeve të fundit në Kodin e Procedurës Penale, është mundësuar aplikimi i gjykimit në mungesë edhe në rastet e veprave penale të natyrës së rëndë, raporton Gazeta “Enigma”.

Tutje Haxhiu ka theksuar se këto ndryshime mund të aplikohen edhe për sulmin terrorist në Banjskë, teksa shtoi se certifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë gabim i rëndë dhe i pafalshëm, pasi sipas saj, kryetar de facto i saj është kryeterroristi Millan Radoiçiq.

“Pavarësisht kësaj mundësie ligjore, s’ka dyshim që vlera e dobia janë të shumëfishta kur kryeterroristi Millan Radojiçiq dhe 44 paramilitarët e tij, të dorëzohen në Republikën e Kosovës dhe të përballen drejtpërdrejt me drejtësinë”, ka shkruar Haxhiu në një postim në Facebook.

Sipas Haxhiut “Millan Radojiçiq është kryetar de facto i Listës Serbe. Kjo u bë edhe më e qartë kur kryetari formal i saj, Zlatan Elek, u radhit si i shtati me numrin e votave në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe, pas marrjes së mandatit të deputetit, e detyruan të jap dorëheqje. Çertifikimi i Listës Serbe për zgjedhjet e fundit ka qenë një gabim i rëndë dhe i pafalshëm”.

“Atë ditë po ekspozohej edhe sistemi kinez FK-3, pikërisht në vendin ku janë ekshumuar 744 shqiptarë nga varreza masive. Këto fakte dëshmojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimin e strukturave të Listës Serbe në sulmet terroriste dhe kundër rendit kushtetues në Kosovë. Millan Radoiçiq & Co. duhen gjykuar në Kosovë me ose pa ekstradim, sa më parë”, ka përfunduar ajo. /Gazeta Enigma/

Related Articles