Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka kërkuar angazhim të shtuar për rritjen e efikasitetit të gjykatave, pas raportimit të drejtuesve të tyre për punën gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026.
Në takimin e 372-të të KGJK-së janë paraqitur raportet për periudhën prill–qershor, si dhe është raportuar për punën e Departamenteve Speciale në Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Raportet përfshijnë të dhëna për lëndët e pranuara dhe të përfunduara, efikasitetin krahasuar me periudhën paraprake, regjistrimin e lëndëve në sistemin SMIL, transparencën dhe publikimin e vendimeve e të seancave gjyqësore.
Raportimin para Këshillit e kanë bërë drejtuesit e Gjykatës Supreme, Gjykatës së Apelit, Gjykatës Komerciale, Gjykatës Administrative dhe gjykatave themelore.
Pas prezantimit, anëtarët e KGJK-së i kanë miratuar të gjitha raportet e punës për këtë periudhë.
Kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, i ka falënderuar drejtuesit e gjykatave për raportimin, ndërsa ka theksuar nevojën për angazhim më të madh me qëllim të rritjes së efikasitetit të punës së gjykatave.
Gjatë takimit janë miratuar edhe rekomandimet e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, si dhe ndryshimi dhe plotësimi i vendimit KGJK.nr.23/2026, të 16 janarit 2026.
