Edhe pse ka disa javë që nuk kemi pasur reshje të shiut, furnizimi me ujë të pijshëm është stabil, aktualisht nuk ka vend për shqetësim, këtë e kanë thënë për Gazetën Enigma, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku-Azizi dhe drejtori gjeneral në KRU “HIDROMORAVA” Gjilan, Muhamed Suliqi.
Për gjendjen aktuale të liqeneve akumuluese sipërfaqësore, Batllava dhe Badovci, për Gazetën ‘Enigma’ ka folur zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arieta Mjeku-Azizi.
“Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 633.07 m mbi nivelin e detit ose – 1.93 m nën nivelin maksimal të kapërderdhjes, ndërsa niveli i ujit në liqenin e Badocit është 646 m mbi nivelin e detit ose – 3.85 m nën nivelin maksimal të kapërderdhjes”, ka thënë Mjeku.
Tutje, Arieta Mjeku-Azizi ka shtuar se prioritet për furnizim të rregullt, është kujdesi ndaj ujit të pijshëm.
“Gjendja është stabile, niveli i ujit në liqene akumuluese garanton furnizim të mirë për sivjet, që do të thotë se nuk kemi probleme. Shqetësuese është keqpërdorimi i ujit në forma të ndryshme në zona urbane e rurale, të cilat e vështirësojnë furnizimin me ujë gjatë verës në pikat e larta të furnizimit”, ka theksuar ajo.
Njëherit, Mjeku-Azizi, ka shtuar se parregullësitë janë gjithëmonë prezente, por që autoritetet po miren me procesimin e tyre.
“Kemi zënë me dhjetëra keqpërdorime të ujit, ndërhyrje ilegale në sistemin e rrjetit të ujësjellesit dhe të gjitha janë duke u procesuar më tutje”, ka përfunduar ajo.
Ndërsa, Drejtori gjeneral në “Hidromorava”, Muhamed Suliqi, ka potencuar për ‘Enigmën’, se gjendja e furnizimit me ujë është e mirë dhe jemi duke furnizuar gjdo pjesë ku ne jemi përgjegjës pa ndërprerje.
“Gjendja e burimeve, për Komunën e Gjilanit te Penda e Përlepnicës, Guri Hoxhës, Baja, Fabrika e ujit Velekincë, e kemi gjendjen e mirë dhe jemi duke furnizuar me ujë 24h/7-ditë”, ka thënë Suliqi.
Tutje, Suliqi ka shtuar se mungesë të ujit nuk kanë as në zonat rurale ku “Hidromorava” është përgjegjëse.
“Në zonat rurale (fshatra) ku kemi puse, kemi ramje të nivelit të ujit në puse shkaku i thatësisë, d.m.th. mungesës së të reshurave atmosferike, por edhe në zonat rurale furnizimi me ujë është 24h/7-ditë”, ka thënë ai.
Ndryshe, “Hidromorava”, është përgjegjëse e furnizimit me ujë edhe për Komunën e Kamenicës dhe asaj të Vitisë.
“Komunën e Vitisë jemi duke e furnizuar me ujë 24h, ndërsa në Komunën e Kamenicës burimet i kemi nga puset, ku edhe ka ramje të nivelit të ujit, ku edhe ka reduktime në disa pjesë”, ka përfunduar Suliqi.
Kosova ka numër të vogël të liqeneve natyrore. Liqene artificiale janë: Batllava, Gazivoda, Radoniqi, Përlepnica dhe Badovci, si dhe një numër të vogël të liqeneve për ujitje. Kosova ka burime të rëndësishme të ujërave termale të cilat shfrytëzohen për qëllime shërimi dhe rekreacioni. Mbrojtja, ruajtja dhe zhvillimi i resurseve ujore është shumë i rëndësishëm dhe një ndër sfidat më të mëdha mjedisore të Kosovës./Gazeta Enigma/