PDK: 900 ditë të Qeverisë Kurti kanë prodhuar vetëm skandale dhe papërgjegjësi

PDK: 900 ditë të Qeverisë Kurti kanë prodhuar vetëm skandale dhe papërgjegjësi

Bernard Nikaj, sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se 900 ditë të Qeverisë Kurti nuk kanë prodhuar zhvillim, por vetëm skandale dhe papërgjegjësi.

Në një konferencë për media, ai ka theksuar se është koha e fundit që kjo qeveri të marrë përgjegjësi për veprimet e veta.

“Rastësisht sot kur jemi mbledhur për të denoncuar edhe një shkelje kushtetuese të kësaj qeverie, janë bërë 900 ditë nga 14 shkurti i vitit 2021. Gjatë këtyre ditëve, qeveria është marrë shumë pak me qeverisje dhe është marrë shumë me sulme të rendit kushtetues të Kosovës”, ka thënë Nikaj.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese të enjten e ka shpallur antikushtetues Ligjin për Zyrtarët Publikë.

“E karakterizuar me skandale, afera korruptive dhe degradim të politikës së brendshme dhe të jashtme, ajo që po shohim çdo ditë është vetëm një kryeneçësi e qeverisë për të mbrojtur veprimet dhe personat e përfshirë në këto veprime joligjore”, ka shtuar ai.

Tutje, ai ka thënë se qeveria po merret me pasojat e veprimeve të saj të papërgjegjshme.

“Është koha e fundit që kjo qeveri të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta. Siç ka thënë Kurti: Kush e shkel ligjin është kriminel, kush e shkel kushtetutën është super kriminel. Është koha e fundit që të gjithë përgjegjësit për këto shkelje të japin dorëheqje ose të shkarkohen. Është koha që Kurti të kalojë nga fjalët në vepra, në të kundërtën nëse është i paaftë, le të lëshojë rrugë dhe t’ia kthejnë mandatin qytetarëve përmes zgjedhjeve”, ka thënë më tej Nikaj.

Related Articles