PDK akuzon Qeverinë Kurti: Mijëra zyrtarë rrezikohen me largim nga puna

PDK akuzon Qeverinë Kurti: Mijëra zyrtarë rrezikohen me largim nga puna

Koordinatori i Departamentit për Drejtësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë nga PDK, Përparim Gruda, tha se Qeveria aktuale ka nisur përpjekjet që nëpërmjet ligjit të kapë Administratën Publike dhe të largojë nga puna mijëra zyrtarë civilë që kanë pozita menaxheriale.

Gruda në një konferencë për media tha se ky veprim i qeverisë aktuale është kundër kushtetues dhe cenon procesin e integrimit evropian të Kosovës.

“Qeveria aktuale pasi ka kapur çdo institucion publik duke emëruar e punësuar familjarët e tyre dhe zyrtarët partiakë në pozita drejtuese dhe në borde të institucioneve publike, tani ka nisur përpjekjet kundër kushtetuese në administratën publike. Kjo qeveri këto ditë ka prezantuar Projektligjin për Zyrtarët Publik të Kosovës, i cili paraqet synimin e qartë të partisë në pushtet për të politizuar administratën publike të shtetit dhe për t’a kthyer atë në shërbim të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha ai.

Gruda tha se nëpërmjet projektligjit për Zyrtarët Publik të Kosovës, qeveria po cenon sigurinë juridike të shërbimit civil.

“Qeveria ka paraparë që pas hyrjes në fuqi të këtij projektligji, të ju ndërpres kontratat e punës që kanë fituar sipas akt emërimeve të përhershme, të gjithë zyrtarëve të nivelit të ulët dhe të mesëm drejtues në administratën publike, të shpallë konkurse të reja për të gjitha këto pozita, dhe këto pozita të jenë me mandat 4 vjeçar”.

“Këtu bëhet fjalë për mijëra zyrtarë që aktualisht mbajnë këto pozita. Me këtë rast, mijëra familje do të mbesin pa të ardhurat e tyre. Pra, për pozitat e të gjithë këtyre zyrtarëve do të shpallen konkurse të reja dhe atyre do të ju pushoj marrëdhënia e punës që kanë tani, për tu zëvendësuar me militantë partiak.”, tha Gruda.

Related Articles