Partia Demokratike e Kosovës, ka deklaruar se do të angazhohet fuqishëm që sa më parë vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, pas dështimit të seancës së Kuvendit, e cila u mbyll në mungesë të kuorumit, tha se pushteti e mbylli seancën për ta pamundësuar diskutimin për atë që ai e ka quajtur “afera zdravo”.
Tahiri theksoi se po angazhohen çdo ditë që vendin ta dërgojnë në zgjedhje.
Sipas tij vazhdimi i kësaj qeverie do të thotë vjedhje më e madhe.
“Ne jemi të angazhuar maksimalisht që ata numra të sigurohen, jemi të angazhuar maksimalisht që ky Kuvend të shpërbëhet, ju e shihni edhe vetë se çfarë logjike ka që të funksionojë një Kuvend i tillë, pse duhet me u shpenzu taksat e qytetarëve me njerëz kaq të pandërgjegjshëm që na udhëheqin”, tha ai.
Kuvendi i Kosovës s’ka pasur kuorum për të nisur seancën.
Në mungesë të deputetëve, kryesuesja Saranda Bogujevci mbylli seancën. Kjo seancë ishte e fundit për sesionin pranveror dhe deputetët do të shkojnë në pushim deri në javën e tretë të muajit shtator.