Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë se është e papranueshme heshtja e Presidentes, Vjosa Osmani për dështimin e shumicës parlamentare për votimin e Kodit Civil.
Sipas saj, përveç tjerash, parasheh edhe rregullimin e të drejtës së grave në trashëgimi.
Deliu-Kodra ka shkruar në faqen e saj në Facebook se është shqetësuese mungesa e guximit minimal nga presidentja Osmani për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit, gardiane e mbrojtjes së të drejtave njerëzore, e mbi të gjitha si një grua – në rastin konkret të dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili afekton të drejtën e trashëgimisë për gratë.
“Papranueshme mbetet heshtja e Presidentes, mungesa e guximit minimal për t’u deklaruar për çështjet që kërkojnë përfshirjen e saj si përfaqësuese e unitetit, gardiane e mbrojtjes së të drejtave njerëzore, e mbi të gjitha si një grua – në rastin konkret të dështimit të miratimit të Kodit Civil, i cili afekton të drejtën e trashëgimisë për gratë”, shkruan Deliu-Kodra.