Supremja ua ndërpret paraburgimin disa të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

Supremja ua ndërpret paraburgimin disa të akuzuarve në rastin “Subvencionet 1”

Sadat Shkodra, Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharaj, Kushtrim Zogaj dhe Pajtim Krasniqi, nuk do të jenë nën masën e paraburgimit gjatë gjykimit për korrupsion ndaj tyre dhe 14 të përfshirëve të tjerë në rastin e njohur si “Subvencionet 1”.

Kjo pasi që masa e caktuar nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 24 janar 2022 dhe e lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 3 shkurt 2022, është ndryshuar nga Gjykata Supreme e Kosovës më 15 mars 2022, me atë të paraqitjes në stacionin policor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo gjykatë, masën e paraburgimit e ka zëvendësuar me masën e paraqitjes në stacionin policor, pasi që ka vlerësuar se nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit dhe se masa e paraqitjes në stacionin policor është masë e mjaftueshme për të siguruar praninë e të pandehurve në procedurë.

Një vendim i tillë, është marrë nga kolegji i Gjykatës Supreme i përbërë nga gjykatësit Valdete Daka, Rsim Rasimi dhe Agim Maliqi.

Gjykata Supreme ka konstatuar se në rastin konkret, nuk është i arsyeshëm vazhdimi i paraburgimit ndaj të pandehurit sipas detyrës zyrtare edhe për të pandehurit tjerë si masë më e rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale, edhe pse ekzistojnë kushtet e parapara me nenin 187, par. 1, nënpar. 1.1 dhe 1.2 pika 1.2.1, të Kodit të Procedurës Penale.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se nuk ka ndonjë rrethanë konkrete apo të posaçme që e tregon se të njëjtit do të arratisen, do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale apo do të përsërisin veprën penale, andaj kjo gjykatë vlerëson se edhe me masën e paraqitjes në Stacionin Policor mund të sigurohet prania e të pandehurve në procedurë, ndërsa masa e paraburgimi caktohet/vazhdohet vetëm nëse asnjë nga masat alternative nuk mund të jenë efektive në aspektin e parandalimit të arratisjes apo përsëritjes së veprës penale dhe zhvillimit të papenguar të procesit penal, e që një situatë e tillë në rastin konkret, sipas vlerësimit të kësaj Gjykate, nuk ekziston”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.

Supremja ka aprovuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga mbrojtësi i të akuzuarit Sadat Shkodra, avokati Isa Salihu derisa për pesë të akuzuarit tjerë sipas detyrës zyrtare ka vendosur që t’ua ndërpres masën e paraburgimit.

“Përkundër faktit se të pandehurit Luan Statovci, Berat Nika, Salih Statovci, Hasan Maxharaj, Kushtrim Zogaj dhe Pajtim Krasniqi nuk kanë ushtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, kjo gjykatë vlerësoi se arsyet për të cilat ka marrë vendim në dobi të pandehurit Sadat Shkodra, e që nuk janë të natyrës personale, shkojnë në dobi edhe të pandehurve tjerë, të cilët nuk kanë parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, konform nenit 397 të KPPK-së (beneficium cohaesionis) vendosi edhe për këta të pandehur si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet në vendimin e Supremes.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 janar të vitit 2021 kishte nisur veprimet e para hetimore në drejtim të hetimit të disa zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësorë në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, pas dyshimeve për dallavere me subvencione.

Dyshimet e para ishin se në kohë dhe në vende të ndryshme kanë pranuar ryshfet në forma të ndryshme, kanë dhënë ryshfet dhe të njëjtin e kanë ndarë mes vete me qëllim që në mënyrë të kundërligjshme të përfitonin dobi pasurore.

Mjetet i kishin përfituar duke aplikuar për subvencione, apo duke mundësuar aplikimin dhe në mënyrë të kundërligjshme më pas kanë ndërruar kulturën nga gruri në bujqësi organike me qëllim të përfitimit të subvencioneve.

Pas zhvillimit të hetimeve për pak më shumë se një vit, prokurori Rafet Halimi më 22 shkurt 2022 ka ngritur aktakuzë ndaj 21 personave të cilët i ngarkon me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrja e ryshfetit” dhe ndihmë në “Marrje ryshfeti”, “Mashtrim në detyrë”, “Dhënia e ryshfetit”, “Mashtrim me subvencione” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Me këtë aktakuzë do të përballen, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Salih Statovci, Berat Nika, Hasan Maxharraj, Kushtrim Zogaj, Habibe Dauti, Alban Bushati, Jeton Sylaj, Lulzim Hajdaraj, Musa Nivokazi, Almir Abdurrahmani, Salih Kelmendi, Bekim Shala, Fuat Morina, Dukagjin Mavraj,  Flamur Zeqiri, Daut Kabashi, Kastriot Berisha, Afrim Abazaj dhe Florim Nimanaj.

Seanca fillestare ishte caktuar të mbahet më 9 mars 2022 nga gjykatësi i Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Kujtim Krasniqi.

Mirëpo, sipas njoftimit nga zyra e gjykatësit, e njëjta ishte anuluar dhe se aktakuza pritet të kthehet në plotësim.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Luan Statovci, Sadat Shkodra, Berat Nika dhe Alban Bushati akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “marrje ryshfeti” nga neni 421, par 3 lidhur me par 2 lidhur neni 31 të KPRK. Ndërsa, Salih Kelmendi po akuzohet për ndihmë në kryen e veprës penale “marrje ryshfeti”.

Në aktakuzë  thuhet se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, të akuzuarit në cilësinë e personave zyrtarë dhe atë Luan Statovci- Drejtor për Pagesa Direkte, Sadat Shkodra -Zyrtar për Pagesë Direkte, Berat Nika – Zyrtar për Pagesa Direkte nga AZHB, Alban Bushati- Zyrtar Administrativ në Drejtorinë për Bujqësi në Komunën e Pejës dhe me ndihmën e të akuzuarit Salih Kelmendi – Inspektor i Tregut në Drejtorin e Inspekcionit në Komunën e Pejës, duke vepruar në bashkëkryerje kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar me qëllim që të veprojnë në kundërshtim me detyrat e tyre zyrtare, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë kanë kërkuar ryshfet nga Bekim Shala në vlerë prej 126,000.00€, dhe kanë arritur të pranojnë vlerën prej 92,500.00 €.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Shala më 26 gusht 2020 në emër të tij dhe të bashkëshortes Arlinda Seferi ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencione për kulturë, grurë dhe misër dhe për kulturë Bimë Mjekësore aromatike, mirëpo Bekim Shala takohet me të akuzuarit Bushati dhe Kelmendi në zyrat e Komunës në Pejë dhe janë pajtuar se si ta ndryshojnë aplikimin për subvencione, pastaj edhe të akuzuarit Nika dhe Shkodra janë takuar në Istog me Shalën ku kanë vizituar pronat e të njëjtit dhe më pas të njëjtit i kanë kërkuar dhe kanë arritur marrëveshje që nga parat e marra në emër të subvencioneve shtesë 70% do t’i marrin të pandehurit në emër të ryshfetit dhe 30% Shala, duke i premtuar se i njëjti do ta fitojë një grant në vlerë rreth 100,000.00€.

Tutje në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Kelmendi dhe Bushati vijnë në Prishtinë në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë me qëllim që ta ndryshojnë kulturën dhe në këtë drejtim kundërligjshëm vepron i akuzuari Luan Statovci ia ka dërguar të gjitha të dhënat vëllait të tij Salih Statovci për fermerët e lartcekur,  pastaj i njëjti i dërgon të dhënat tek Almir Abdurramani për t’i pajisur të njëjtit me certifikata dhe në bazë të këtyre të dhënave të rrejshme, nxjerret certifikata nga kompania “Bio-Q-Check” në emër të Bekim Shalës dhe Arlinda Seferit në mënyrë të kundërligjshme pa pasur të mbjellë bujqësi organike.

Tutje në aktakuzë thuhet se i akuzuari Luan Statovci më 23 tetor 2020 i ka dërguar një njoftim elektronik zyrtarëve që për fermerët të cilët kishin sjellë certifikata për prodhim organik të procedohen për pagesë pa raport të kontrollit në terren, e kjo duke vepruar në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ 03/2020 me të cilin është paraparë që kontrolli në terren për këtë lloj është i obligueshëm 100%.

Sipas aktakuzës pasi që Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë ka ekzekutua pagesat e subvencioneve, Shala i kishte tërhequr të njëjtat dhe më pas i ka dorëzuar të akuzuarve Kelmendi dhe Bushati shumën prej 92,500.00 €, të cilat para këta të fundit i kanë ndarë në mes vete shumën prej 37,064.00 €, ndërsa të akuzuarve Shkodra dhe Nika i kanë dorëzuar shumën prej 54,000.00 €, dhe këta të fundit i ndajnë me të akuzuarin Luan Statovci në Prishtinë.

Ndërsa sipas aktit akuzues, Shala paratë në vlerë prej 33,800.00€, të cilat i kishte marrë në këstin e fundit nuk ka arritur t’ua dorëzonte të akuzuarve, meqenëse të njëjtit janë arrestuar më 24 shkurt 2021, por të njëjtat i ka mbajtur për vete dhe më 13 dhjetor 2021 i ka dorëzuar në polici, kurse shumën tjetër 54,000.00€ e ka ndalur për vete në emër të subvencioneve reale që kishte mbjellë.

Prokuroria pretendon se me këto veprime, të akuzuarit në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerën prej 180,000.00 euro.

Pika e dytë e aktakuzës i ngarkon  të akuzuarit Salih dhe Luan Statovci se nga 1 korriku 2020 e deri më 24 shkurt 2021 në Prishtinë dhe në Pejë nga 1 korrik 2020 deri më 24 shkurt 2021, në Prishtinë dhe në Pejë, i kanë kërkuar ryshfet Kastriot Berishës në shumë prej 90,000.00€ lidhur me aplikimin e të njëjtit për subvencione.

Siç thuhet në aktakuzë, fillimisht Kastriot Berisha më 28 gusht 2020 ka aplikuar në Komunën e Pejës për përfitimin e subvencioneve në AZHB, dhe gjatë këtij muaji së bashku me Fuat Morinën takohen me të akuzuarin Statovci me të cilin janë marrë vesh se si të paraqesin kërkesë për ndërrimin e kulturës bujqësore, kinse ka të mbjellë bujqësi organike me qëllim që lënda të përfshihet në listën e pagesave. Prokuroria pretendon se nga përfitimet e këtij subvencioni 50 % të fondit do t’i takonin të akuzuarit Salih me zyrtarët e AZHB kurse 50% aplikuesit.

Për këto veprime, prokuroria pretendon se të akuzuarit Statovci në bashkëkryerje i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës, në vlerën prej 245,000.00 €.

Prokuroria e ngarkon Luan Statovcin me veprën penale “marrje ryshfetit” nga neni 421, par.3 lidhur me par.2 të KPRK-së. Ndërsa, Salih Statovcin e ngarkon për ndihmë në kryerjen e veprës penale “marrje ryshfeti”.

Edhe pika e tretë e aktakuzës i ngarkon dy të akuzuarit Statovci me veprat penale si në pikën 2 të aktakuzës.

Në pikën e tretë të aktakuzës thuhet se të akuzuarit e lartcekur gjatë datave si më lartë nga Fuat Morina i cili ka aplikuar në Komunën e Pejës për të përfituar subvencion nga AZHB-ja për kulturën grurë, kanë kërkuar ryshfet me qëllim të ndërrimit të kulturës nga gruri në bujqësi organike edhe pse i njëjti nuk kishte të mbjellë asgjë organike. Prokuroria pretendon se nga përfitimet e këtij subvencioni 50 % të fondit do t’i takonin të akuzuarit Salih me zyrtarët e AZHB kurse 50% aplikuesit.

Related Articles