PDK-ja s’i dorëzoi komentet në Kushtetuese për dekretin e Osmanit, konfirmon Gjykata

PDK-ja s’i dorëzoi komentet në Kushtetuese për dekretin e Osmanit, konfirmon Gjykata

Edhe pse është hequr sikur i ka dërguar komentet, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kryer zyrtarisht asnjë parashtrim në gjykatën më të lartë të vendit për dekretin e presidentes, ka konfirmuar Gjykata Kushtetuese. 

Partia Demokratike e Kosovës nuk i ka dorëzuar gjykatës më të lartë të vendit komentet e veta për çështjen e dekretit të presidentes për shpërndarjen e kuvendit, edhe pse është sillur sikurse i ka deponuar komentet.

Javën e kaluar, Gjykata Kushtetuese vendosi njëzëri masë të përkohshme ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani përmes së cilës ndaloi “çdo vendim dhe veprim të mëtejmë” nga presidenca dhe kuvendi.

Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.

Deri në vendosjen meritore të lëndës, gjatë kësaj jave Gjykata ka pranuar komentet nga palët e interesit. Afati për dorëzimin e qëndrimeve të palëve ka përfunduar të mërkurën, më 11 mars.

Komente në gjykatë brenda këtij afati kanë dërguar presidentja Vjosa Osmani dhe Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, konfirmoi të premten Gjykata Kushtetuese.

Edhe pse është hequr sikurse i ka dërguar komentet, Partia Demokratike e Kosovës nuk ka kryer zyrtarisht asnjë parashtrim në gjykatën më të lartë të vendit, sipas një përgjigje me shkrim që Gjykata ia dërgoi Paparacit të premten.

“Përkitazi me çështjen e dekretit të presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata brenda afatit të përcaktuar ka pranuar komente nga: (i) Presidentja e Republikës së Kosovës; dhe (ii) Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha Gjykata Kushtetuese.

Të pyetur nëse ndonjë subjekt politik ka dorëzuar komentet e veta për çështjen e Osmanit e pastaj i ka tërhequr ato, Gjykata ka thënë se dokumentet e parashtruara “nuk mund të tërhiqen pas dorëzimit të tyre”.

“Deri në këto momente, Gjykata nuk ka pranuar ndonjë kërkesë për tërheqjen e komenteve të dorëzuara”, tha Gjykata në përgjigjen për Paparacin.

Tashmë është plotësisht e qartë se Partia Demokratike e Kosovës vetëm ka proklamuar në publik kinse dërgimin e komenteve të veta në Gjykatën Kushtetuese, por nuk i ka dërguar asnjëherë vërejtjet e veta rreth lëndës.

PDK-ja, që nga fillimi u vu në mbrojtje dekretit të presidentes për shpërndarjen e parlamentit.

Dy ditë pas shpalljes nga presidentja të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, kryetari i Komisionit Parlamentar për Legjislacion dhe deputeti Përparim Gruda paralajmëroi dërgimin e qëndrimeve të PDK-së në mbrojtje të dekretit.

“Mendoj që në fund të javës së ardhshme do të caktohen zgjedhjet. Do ta kemi edhe (qëndrimin) e Gjykatës Kushtetuese lidhur me masën, dhe ne do të bëjmë komentet tona në Kushtetuese do t’i dorëzojmë që dekrete është plotësisht kushtetues”, tha Gruda në emisionin Pressing në T7 më 7 mars.

Më 11 mars, datën që koincidoi me afatin e fundit të dërgimit të komenteve në Gjykatë, në disa media në vend rrodhi një komunikatë e PDK-së me përmbajtjen e komenteve të kësaj partie gjoja të dorëzuara në Gjykatën Kushtetuese.

Kjo komunikatë nuk është publikuar në platformat e partisë në rrjetet sociale, ka vërejtur Paparaci.

Po atë ditë, zëdhënësi i PDK-së, Faton Abdullahu deklaroi se subjekti “shpreson shumë” që dekreti për shpërndarjen e kuvendit të marrë pëlqim nga Gjykata Kushtetuese dhe t’u hapen rrugë zgjedhjeve të reja.

Paparaci ka tentuar të kontaktojë me deputetin Përparim Gruda dhe me shefin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Arian Tahirin, por kontakti me të dy ka qenë i pamundur për gazetën.

Gjykata Kushtetuese e ka regjistruar më 9 mars kërkesën e kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit të presidentes në largim për shpërndarjen e Kuvendit.

Dekreti i presidentes Vjosa Osmani është shpallur të premten e javës së shkuar, më 6 mars. 

Related Articles