Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka njoftuar se ka kërkuar plotësimin e Ligjit për Zyrtarë Publikë dhe atij për KPK-në, raporton Gazeta Enigma.
Ai thotë se PDK-ja, i konsideron projektligjet në formën aktuale si antikushtetuese.
“Këto dy nisma që kanë kaluar në lexim të parë dhe shumica parlamentare synon t’i kalojë edhe në lexim të dytë në seancën vijuese, janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe aktgjykimet e Kushtetueses për ligjet përkatëse”, tha ai.
Ai tha se Ligji për Zyrtarë Publikë ka shkuar në kuvend dhe është miratuar në lexim të parë “pa pasur asnjë ditë konsultim publik”.
“Me këtë ligj shkelet Marrëveshja e Stabilizim Asocimit për Kosovën, sepse neni 120 i saj kërkon bashkëpunim me Bashkimin Evropian në fushën e reformave në administratën publike. Vlen të theksohet që edhe Zyra e BE-së në Kosovë e ka kundërshtuar këtë ligj. Neni 19 i Kushtetutës përcakton qartë se marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Prandaj, Ligji për Zyrtarë Publikë nuk mund të jetë në kundërshtim me MSA-në sepse kështu ai është në kundërshtim edhe me Kushtetutën”, tha Gruda.
Ai tha se edhe plotësimi dhe ndryshimi i Ligjit për Këshillin Prokurorial është jokushtetues.
“Kjo po bëhet me tendencë për ndikim politik mbi organin e akuzës, sepse përbërja e tij është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, si sa i përket përfshirjes së politikës në KPK ashtu edhe përfshirjes së një anëtari nga Avokati i Popullit”, tha Gruda duke i ka bërë ftesë Qeverisë që “t’i ndalë shkeljet e Kushtetutës”. / Gazeta Enigma.