Koordinatori për Bujqësi në Kabinetin për Qeverisje të Mirë në PDK, Naim Ismajli, është shprehur se e kanë demantuar ministrin e Bujqësisë Faton Peci i cili këto ditë deklaroi se Kosova ka shënuar rekorde këtë vit me mbjelljen e sipërfaqeve me grurë.
“Ministria e Bujqësisë e udhëhequr nga Faton Peci po mburret me statistikat e mbjelljes së grurit dhe rendimenteve tjera bujqësore, duke bërë krahasim vetëm me vitin e kaluar kur vet ai ka udhëhequr këtë sektor. Por, shifrat zyrtare janë publike dhe e demantojnë keq këtë qeveri e cila në çdo sektor po mburret me kinse rritje, duke bërë krahasime vetëm me vitin 2021 kur gjithçka në Kosovë ishte në kolaps nga pandemia”, ka thënë Ismajli në faqen e tij në Facebook.
Ai u shpreh se kur Peci s’ishte ministër e kur në Kosovë fermerët mbillnin nga 89 mijë e deri në mbi 100 mijë hektarë tokë me grurë.
“Derisa ministri Peci thekson me mburrje se këtë vit Kosova kishte të mbjella 66 mijë hektarë me grurë duke e paraqitur këtë shifër si thyrje rekordi krahasuar me vitin e kakuar, ai po “harron” të shikoj rendimentet e para pak vitesh 2012-2017 kur Peci nuk ishte ministër e kur në Kosovë fermerët mbillnin nga 89 mijë e deri në mbi 100 mijë hektarë tokë me grurë”, tha Ismajli.
Ismajli tha se këto shifra dëshmojnë se qeveria aktuale i ka harruar bujqit, i ka braktisur ata dhe nuk po i mbështetë.
Sipas tij, qeveria aktuale po i dekurajon duke mos i subvencionuar dhe duke mos krijuar lehtësira për punën fisnike që bëjnë.
“Kjo ka bërë që shumë bujq sivjet të mos mbjellin tokat e tyre e shumë sektorë të pësojnë keq dhe kjo do të shihet më së miri vitin e ardhshëm. Bujqit e Kosovës dhe të gjithë qytetarët pa dallim tashmë e kanë parë se populizmi i kësaj qeverie me shifra të pa sakta, është lojë e rrezikshme ku zyrtarët qeveritar përpiqen t’i mashtrojnë qytetarët edhe për bukën e gojës e lëre më në fushat tjera”, tha tutje Ismajli.
Fotografi e publikuar nga Naim Ismajli: