Partia Demokratike e Kosovës sot ka mbajtur konferencë për media, raporton Gazeta “Enigma”.
Në këtë konferencë deputeti Gruda ka sqaruar disa pjesë nga Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, si dhe po prezantohen të gjitha veprimet e kësaj partie në përputhje me këtë vendim dhe në frymën e saj institucionale.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se qëllimi i kësaj konference nuk është deklarimi i qëndrimeve të partisë, por thjesht sqarimi për vendimin e lartpërmendur.
“Do flas për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, dhe çështjen e votimit të fshehtë”, tha Gruda.
AKTGJYKIMI NË RASTIN NR. KO124/25 Paragrafi 130- zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit
“Kryesuesi i seancës s’ka autorizim me ndërru rendin e ditës”
“Ajo që ka ndodhur është se kryesuesi i seancës konstituive e ka futur votimin e fshehtë pasi seanca ka filluar, pasi janë mbajtur 10-11 mbledhje, duke ndryshuar rendin e ditës. Nuk ka autorizim kryesuesi i seancës konstituive, thotë Gjykata me e ndërru rendin e ditës sepse është caktuar në rregullore të punës së Kuvendit”, u shpreh Gruda.
“Gjykata rithekson se e drejta e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit është vendosur përmes Aktgjykimit në rastin KO119/14. Megjithatë, Gjykata nënvizon që e drejta për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit është e ndërlidhur në mënyrë të drejtpërdrejtë me arritjen e shumicës së votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit” tha ai.
Tutje Gruda ka theksuar se “si e tillë kjo e drejtë për propozimin e kandidatit për Kryetar/e të Kuvendit përbën njëkohësisht edhe detyrim për grupin më të madh parlamentar për bashkëpunim në mirëbesim dhe konsultim konstruktiv me grupet e tjera parlamentare për të gjetur konsensusin apo kompromisin e nevojshëm dhe se kjo e drejtë në asnjë mënyrë nuk mund të rezultojë në bllokimin e konstituimit të Kuvendit (…)”.
VOTIMI I FSHEHTË-PARAGRAFI 155
“Pavarësisht që paragrafi 2 i nenit 8 të Rregullores së Kuvendit parasheh që Kryetari i legjislaturës paraprake në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e subjekteve politike që kanë fituar vende në Kuvend merret me propozimin e rendit të ditës për seancën konstituive dhe aspekte tjera procedurale organizative, megjithatë paragrafi 4, i përcaktuar pas paragrafit 2 te nenit 8 të saj, ka definuar në mënyrë taksative dhe formale rendin e ditës për Seancën Konstituive, e cila përbën përmbajtjen kryesore dhe të vetme të seancës konstituive, dhe e cila duhet të udhëhiqet me përpikmëri nga Kryesuesi i Seancës Konstituive”, ka theksuar Gruda.
VOTIMI I FSHEHTË-PARAGRAFI 178
“Gjykata thekson që çështja e mënyrës së votimit në Seancën Konstituive, përkatësisht nëse e njëjta duhet të jetë në mënyrë të hapur apo të fshehtë nuk është përcaktuar as me dispozitat kushtetuese dhe as në Kreun IV të Rregullores së Kuvendit. Gjykata vëren se Kreu i IV (Konstituimi i Kuvendit) i Rregullores së Kuvendit, në kontekstin e mbajtjes së seancës konstituive nuk përmban asnjë referencë në nenin 53 (Ndryshimi i rendit të ditës), nenin 57 (Mocionet procedurale), si dhe as në nenin 122 (Interpretimi i Rregullores së Kuvendit) (…)”, ka sqaruar ai. /Gazeta Enigma/