Peci: Kur flet edhe PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit!

Peci: Kur flet edhe PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit!

Koordinatori i Departamentit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural në Kabinetin për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Naim Ismajli ka reaguar pas punësimit të Venerë Çerkinit, vajzës së tezes së Presidentes, Vjosa Osmani.



Ismajli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se në këtë pozitë Çerkini do të menaxhojë 68.9 milionë euro, të planifikuara për grante dhe subvencione për të gjithë fermerët e Kosovës.

Rreth kësaj deklarate ka reaguar Ministri i Bujqësisë, Faton Peci i cili ka thënë se i kanë ekzekutuar 70 milionë euro grante e subvencione, pa asnjë shkelje ligjore.

“Marrja rri e i zoti nuk e le! Na paska iluminuar PDK-ja se si duhet udhëhequr bujqësia. Më trego zotëri Ismajli se ku kam interferuar si ministër, teksa janë ekzekutuar 70 milionë euro grante e subvencione, pa asnjë shkelje ligjore, me adresë tek bujqit meritorë e jo tek ata të xhipave, banesave e maleve për grurë!” – ka shkruar ai.

Peci me një postim në Facebook, ka thënë se ‘kur flet PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit!’

“Zyrtarë në burg e miliona para kesh, të kapura në flagrancë gjatë marrjes së ryshfetit në Ministrinë e Bujqësisë kanë autorë dhe ideatore PDK-në. Gjatë udhëheqjes suaj dekadëshe kani menaxhuar me bujqësinë në mjegull, dhe si mos më keq, duke mos aprovuar asnjë ligj të vetëm për 9 vite rresht. Kur flet edhe PDK-ja për korrupsion dhe abuzime, marrja e Zotit! Po patët dëshirë, do t’ua listoj shkeljet ligjore me dhjetra e qindra raste, me abuzime e shkelje ligjore në po aq raste me shifra milionëshe. Aktualisht po merremi me pronat e vilat e ndërtuara në toka të shtetit e këtu, nuk i dihet, mbase dalin emra të njohur për PDK-në dhe gjithë Kosovën. Me fjalë të tjera, mos e shprushni marren!” – ka shkruar Peci.

Related Articles