Skuadra e Pejës ka regjistruar edhe fitoren e dytë në tri ndeshje të luajtura në fazën e grupeve të FIBA Europe Cup. Pas fitores javën e shkuar në shtëpi ndaj Den Boschit të Holandës, Peja e mposhti në udhëtim ndaj ekipit Spojnia Stargard për fitoren e dytë rresht në kuadër të Grupit H. Të mërkurën mbrëma, Peja triumfoi në Poloni me shifrat 83:79 për t’ia shkaktuar humbjen e dytë ekipit të Stargardit që ka edhe një fitore. Në fakt, Peja në përgjithësi tregoi një paraqitje të mirë, por fitoren e siguroi në çerekun e fundit.
Këtë çerek, Peja e fitoi me shifrat 25:15 për ta mposhtur Spojnia Stargardit dhe për të bërë një hap drejt avancimit nga faza e parë e grupeve. Kampionia e Kosovës e nisi mirë ndeshjen duke e fituar çerekun e parë me rezultatin 26:19.
Skuadra polake u rikthye në periudhën e dytë, të cilën e fitoi (22:14) për të shkuar në pushim me vetëm 1 pikë epërsi – 41:40. Vendasit edhe në çerekun e tretë u treguan më të mirë pasi e fituan 21:16. Në dhjetë minutat e fundit, Spojnia Stargard u fut me epërsi prej gjashtë pikëve (62:56), të cilën nuk arriti ta mbajë deri në fund, pasi Peja me një mbrojtje të fortë dhe sulme efikase arriti ta shkrijë për ta regjistruar fitoren e radhës në këtë garë. Pesë basketbollistë te Peja, ndeshjen e mbyllën me pikë dyshifrore. Justin Davis pati “double-double” prej 18 pikëve e 13 kërcimeve, ndërsa Tervell Beck shtoi 21 pikë e 10 kërcime. Jay Jay Chandler realizoi 14 pikë e 6 asistime, ndërsa Malcolm Armstead ndeshjen e mbylli me 10 pikë të shënuara. Te skuadra polake, Arguster Daniels dhe Stephen Broën patën nga 21 pikë secili por që nuk arritën ta ndihmojnë Spojnia Stargardin ta evitojë humbjen nga Peja. Aktualisht, Peja ka tubuar 5 pikë, një më shumë se Spojnia dhe ndeshjen e radhës e luan javën e ardhshme në palestrën “Karagaçi” kundër Niners Chemnitzit të Gjermanisë. Chemnitzi në xhiron e parë ka triumfuar ndaj Pejës.