Policia e Kosovës, dje ka intervenuar edhe në një familje në rrugën ‘Emrush Miftari” në Pejë, pasi një person dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj nënës së tij.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se 48-vjeçarja ka raportuar se i biri fillimisht i kishte kërkuar para e më pas ka ushtruar presion ndaj saj e madje ka eskaluar edhe në dhunë fizike.
Për të mos mbaruar me kaq, pasi viktima nuk i ka dhënë të holla të birit, i dyshuari e ka rrahur me grushte, duke i shkaktuar lëndime trupore, për çka u dërgua në spital.
Përballë kësaj situate, viktima vendosi ta denoncojë rastin në Polici, ku ka dhënë deklaratën e saj lidhur me atë që ka ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.