Shpeshherë të rinjtë e kanë të vështirë të pranojnë ndarjen nga partnerët e tyre. Ata nuk zgjedhin formë për të provuar që të kthehen sërish bashkë, e madje nuk i kursejnë as kërcënimet, ngacmimet e sulmet ndaj tyre. Një rast i tillë ka ndodhur të dielën në rrugën “Konferenca e Bujanit” në Pejë, ku një grua e ka denoncuar në Polici ish të dashurin e saj.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se ajo ka deklaruar në Polici se i riu ia ka zënë pritën dhe e ka ndalur, ku fillimisht kanë pasur një debat verbal, por më pas i dyshuari iu është vërsulur në sulm ish të dashurës.
I dyshuari E.D., po dyshohet se i ka sulmuar fizikisht viktimën, duke e goditur me shuplaka dhe për pasojë i ka shkaktuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, viktima e frikësuar ka kërkuar ndihmë në Polici, ku rrëfeu krejt çka kishte ndodhur.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka arrestuar të dyshuarin, i cili është shoqëruar më pas në stacion policor. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është nxjerrë aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor. ”.