Publikimi i videove e fotove të ndryshme në rrjete sociale shpesh po i fut kosovarët në sherr me Policinë. Ata jo rrallëherë dalin të jenë merakli të mbajtjes së armëve, kryesisht pa leje dhe me përdorimin e ekspozimin e tyre në rrjete sociale, ata shpesh tentojnë të shfaqen si të “fortë” dhe të pakapshëm për organet e rendit.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Pejë, ku një vajzë ka përfunduar në Polici, pasi Policia kishte pranuar disa pamje ku e njëjta shihej duke shtënë me armë zjarri.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se për shkak të dyshimit se 21-vjeçarja posedon kundërligjshëm armë, njësitë policore kanë bastisur shtëpinë e saj në Rugovë, por nuk kanë gjetur armën e cila dyshohet të jetë përdorur në rast.
Pas përfundimit të kontrollit, e dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku para hetuesve policorë ka dhënë deklaratën e saj për veprën me të cilën ngarkohet.
Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndryshe, “Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“