Komuna e Pejës ka nisur evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e 24 qershorit, tha për Radion Evropa e Lirë kreu i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.
Nga vërshimet në Pejë kanë humbur jetën një fëmijë 5 vjeç dhe nëna e tij.
Reshjet e dendura të shiut po ashtu kanë shkaktuar dëme materiale në këtë komunë. Dëme janë shkaktuar në ekonomitë familjare, biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike.
“Janë disa biznese, ekonomi familjare [që kanë pësuar dëme], një dyqan ushqimor është shkatërruar krejtësisht. Deri më tani janë evidentuar 26 vetura të dëmtuara të cilat i kemi hequr nga kanalet e ujërave të hapura. Numri mund të rritet”, tha Muhaxheri për REL-in.
Sipas kryetarit të Pejës, komuna nuk ka kapacitete për kompensimin e dëmeve dhe zakonisht kompensimi bëhet nga niveli qendror.
Disa qytete të Kosovës u përballën me vërshime edhe në janar të këtij vitit. Përmbytje nga vërshimet kishte në komunën e Skenderajit, Mitrovicë të Jugut, Klinës dhe Istog.