Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka takuar të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, në margjina e takimit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, që do të mbahet nesër në Ohër, raporton Gazeta Enigma.
Pendarovski dhe Lajçak biseduan për situatën në Kosovë dhe dialogun me Serbinë, teksa deklaroi se e mbështet këtë proces me një zgjidhje gjithëpërfshirëse.
“Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut, si edhe më parë, në mënyrë aktive do të kontribuojë në avancimin e bashkëpunimit rajonal për të siguruar paqen, stabilitetin dhe përparimin e rajonit. Në këtë drejtim, presidenti theksoi se vendi ynë mbështet dialogun Beograd-Prishtinë për gjetjen e një zgjidhjeje gjithëpërfshirëse dhe normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së, duke theksuar se zgjidhja paqësore e çështjeve të hapura në Ballkanin Perëndimor duhet të jetë imperativ absolut për të gjithë” thuhet në kumtesën Presidenca maqedonase.
Në takim, theksohet, është biseduar për situatën aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, ndërsa është theksuar rëndësia e sigurimit të dialogut politik konstruktiv dhe zbatimi i plotë i proceseve reformuese në fushat kyçe.
“Presidenti Pendarovski theksoi se Maqedonia e Veriut mbetet plotësisht e përkushtuar në procesin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe përshëndeti mbledhjen e sotme të Këshillit për Stabilizim dhe Asociim”, thuhet në kumtesë.