Një ilaç i personalizuar i kancerit që ndalon rikthimin e sëmundjes do të nis së përdoruri në Britani të Madhe brenda pesë viteve, ka thënë një shef i shëndetësisë.
Ato do të përdoren për të trajtuar deri në 10,000 pacientë me disa kancere të ndryshme, duke përfshirë melanomën e avancuar, kancerin e prostatës, kokës dhe qafës, raporton “The Sun”.
Vaksinat e stilit Covid mund të bëhen për të targetuar sekuencat ose mutacionet unike gjenetike të një kanceri të veçantë.
Kjo mund të ndihmojë trupin të shkatërrojë në mënyrë selektive qelizat e kancerit duke kursyer qelizat e shëndetshme, duke rezultuar potencialisht në më pak efekte anësore në krahasim me kimioterapinë.
Drejtori kombëtar i Shëndetit Publik në Britani të Madhe (NHS) për kancerin, Prof Peter Johnson, tha se vaksina është një nga “transformimet më të mëdha” në trajtimin e sëmundjes në dekadën e fundit.
Njoftimi vjen pasi Qeveria britanike nënshkroi një marrëveshje me kompaninë gjermane BioNTech, e cila më parë zhvilloi një vaksinë kundër koronavirusit, për t’u siguruar pacientëve vaksinë deri në vitin 2030.
Provat klinike kanë për qëllim të ndihmojnë në trajtimin e pacientëve nëpërmjet përdorimit të vaksinave të personalizuara të kancerit mRNA dhe imunoterapive.
Teknologjia është e ngjashme me atë të përdorur në vaksinën e koronavirusit, Pfizer/BioNTech.
Një platformë e re e vaksinës kundër kancerit (CVLP) do të krijojë një bazë të dhënash për të ndihmuar në identifikimin e shpejtë të pacientëve me kancer që mund të kualifikohen për prova të mundshme.
Prof Peter i tha “The Times”: “Kanceri i përsëritur pas operacionit mbetet një problem i madh edhe pse ne diagnostikojmë më shumë kancere herët, kështu që do të shohim më shumë njerëz që kryejnë operacione për të hequr tumorin primar, por që mbeten në rrezik të përsëritjes”.
“Dhe mundësia për të shfrytëzuar vaksinimin për të zvogëluar rrezikun e përsëritjes në atë grup njerëzish është shumë e madhe”.
Megjithatë, marrja e vaksinave për të përmirësuar aftësinë e trupit për të dalluar dhe shkatërruar tumoret për të parandaluar kancerin te pacientët e shëndetshëm është “ende spekulative”, shpjegoi ai.
Ai tha se do të ishte më e dobishme nëse do të ishim në gjendje t’i kapnim kanceret herët përpara se të përparonin.