Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, e ka kritikuar ish-kryeministrin Avdullah Hoti, pasi ai tha se prodhimi vendor është duke rënë.
“Për Avdullah manipulantin!”, filloi shkrimi i Pecit, i cila tha se më herët nuk e ka dëgjuar asnjëherë Hotin duke diskuar për sektorin e Bujqësisë, sa ka qenë ministër i Financave dhe siç e quajti ai, “kryeministër jo-legjitim”.
Peci e akuzoi Hoti se në kohë kur ky i fundit ka qenë ministër i Financave, ka ndodhur marrje dhe dhënie ryshfeti deri në 120 mijë euro vetëm për një rast të “përkrahjes”.
“Keni marrë vendim për dyfishimin e subvencioneve, pa disponueshmëri të mjeteve duke e futur Ministrinë në 40 milion euro borxhe, e duke shpërndarë vendime dy ditë para fushatës në përpjekjen dëshpëruese për të “blerë” vota nga fermerët. Në kohën tënde si Kryeministër jo-legjitim vetëm në një projekt të vetëm në IBK janë vjedhur 1.4 milion euro. Në MBPZHR për 9 vite sa ke qenë Ministër i Financave dhe Kryeministër jo-legjitim nuk është aprovuar asnjë ligj”, ka shkruar Peci.
Tutje ministri tha se nuk e ka lejuar vjedhjen e kasafortës së Shtetit në Zyrën e Presidentes dhe se e ka mbrojtur “me gjoks”.
“Lista është shumë e gjatë, po për qeverisjen tënde ‘efikase’ për sektorin sa e ke pasur në menaxhim, në AUV është vjedhur edhe kasaforta në këtë Agjenci e rëndë hiç më pak se 300 kg. Ta rikujtoj Avdullah, se unë jo që nuk kam lejuar vjedhjen e kasafortës së Shtetit në Zyrën e Presidentes, por edhe e kam mbrojtur me gjoks”.
“Karshi krejt këtyre shkeljeve abuzive, ti si Ministër i Financave dhe si Kryeministër jo-legjitim, keni qëndruar si struci. Sa ke qenë ti Avdullah Kryeministër, kafshët kanë hyrë në Kosovë pa u regjistruar fare”, deklaroi tutje Peci.
Peci tha se nga marrja e detyrës në krye të Ministrisë së Bujqësisë, numri i importeve të gjedheve është rritur, “sepse janë ndalur hyrjet ilegale të gjedheve në Kosovë”.